Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë shqiptoi gjoba për një mishtore dhe një supermarket në Shkup dhe një restorant në Manastir

Një mishtore dhe një supermarket i njohur në Shkup janë gjobitur për shitjen e ushqimeve të pasigurta, gjegjësisht mos kryerjen e analizave laboratorike, njoftoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, transmeton Portalb.mk.

AUV thekson se mishtorja është dënuar me gjobë prej 600 dhe 300 eurosh në këmbim të denarit, ndërsa supermarketi është gjobitur me 1000 euro për personin juridik dhe 400 euro për personin përgjegjës për shitjen e ushqimeve të pasigurta, gjegjësisht pa dhe me etiketa të palexueshme dhe për moskryerjen e testeve të detyrueshme laboratorike.

Në një aksion të përbashkët të AUV-së me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës, gjatë ditës së djeshme është gjobitur një restorant në Manastir për shitjen e mishit të padeklaruar.

Kujtojmë që të hënën AUV-ja njoftoi se kishte shqiptuar gjoba për disa operatorë të ushqimit në Shkup dhe Ohër, të cilët shisnin ushqim të pasigurt.