A do ta prishin Mickoski dhe Mitsotakis Marrëveshjen e Prespës?

Vullnet të mirë për një interpretim më të gjerë të Marrëveshjes së Prespës nuk ka as partia që do ta udhëheqë shumicën qeverisëse, VMRO-DPMNE, e as Greqia, duke pasur parasysh se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në fjalimet e tij nuk e përdor termin “Maqedonia e Veriut”, por “Shkupi” ose “fqinji verior”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Marrëveshja e Prespës ka një “zonë gri” që mund të interpretohet ndryshe dhe pikërisht për këtë është bërë kështu, që të interpretohet më gjerë që të ketë një qasje të vullnetit të mirë. Por me sa duket, për momentin, as partia që do të udhëheqë shumicën qeverisëse, VMRO-DPMNE, as autoritetet greke nuk kanë vullnet të mirë, duke qenë se kryeministri Kyriakos Mitsotakis nuk përdor termin “Maqedonia e Veriut” në fjalimet e tij, por “Shkupi” ose “fqinji verior”.

Këtë për Meta.mk e kanë komentuar burime diplomatike të njohura mirë me hartimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, pasi presidentja e re e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues gjatë dhënies së betimit solemn në Kuvend. Veprimi i saj u mbështet nga kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, por mori edhe reagime të ashpra nga pala greke.

Çështja më e rëndësishme për momentin është Bullgaria

“E gjithë kjo nuk është në favor të Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh se çështja më e rëndësishme për ne për momentin është Bullgaria dhe ne duke u marrë me çështje që tashmë janë të mbyllura, do të humbasim pozicionet në lidhje me çështjet e hapura me fqinjin tjetër” , thonë burimet tona. Dilemat më të mëdha gjatë interpretimit i paraqet neni 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes së Prespës, i cili ndër të tjera parasheh:

“a) Emri zyrtar i Palës së Dytë do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, që do të jetë emri kushtetues i Palës së Dytë dhe do të përdoret erga omnes, siç parashihet në këtë marrëveshje. Emri i shkurtuar i Palës së Dytë do të jetë “Maqedonia e Veriut”.

  1. g) Pala e dytë do të pranojë emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” si emër të saj zyrtar, si dhe kushtet e shënuara në nenin 1, paragrafi (3), duke zbatuar një procedurë të brendshme që është e detyrueshme dhe e parevokueshme dhe do të përfshijë miratimin e një amendamenti të Kushtetutës, për të cilin është rënë dakord në këtë marrëveshje.”

Ndërkaq në nenin 1, paragrafi 7 dhe paragrafi 8, Marrëveshja flet për mënyrën se si do të trajtohet përdorimi i termave pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

“Neni 1.7

Pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe në pajtim me dispozitat e nenit 1 paragrafi (9) dhe paragrafi (10), termat “Maqedoni”, “Republika e Maqedonisë”, “IRJ e Maqedonisë”, “IRJ.  Maqedoni”, në formë të përkthyer ose të papërkthyer, si dhe referenca e përkohshme “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë” dhe shkurtesa “IRJM” do të pushojnë së përdoruri për t’iu drejtuar Palës së Dytë në çdo kontekst zyrtar.

Neni 1.8

Pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe duke marrë parasysh nenin 1, paragrafi (9) dhe paragrafi (10), Palët do të përdorin emrin dhe termat nga neni 1, paragrafi 3 për të gjitha dedikimet dhe qëllimet erga omnes, gjegjësisht për përdorim të brendshëm, pastaj në të gjitha marrëdhëniet e tyre dypalëshe dhe në të gjitha organizatat dhe institucionet rajonale dhe ndërkombëtare.”

Mitsotakis: Shkelja e Marrëveshjes së Prespës do ti cenojë ambiciet e vendit ballkanik për anëtarësim në BE

Athina zyrtare e intensifikoi retorikën ndaj Maqedonisë së Veriut pasi presidentja Gordana Siljanovska Davkova në betimin solemn nuk e tha emrin kushtetues të shtetit, ndërsa dje mori mbështetje publike nga kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe me shumë gjasa mandatari i ri i qeverisë, Hristijan Mickoski.

Mickoski dje qartë theksoi: “Unë kam të drejtë ta quaj vendin tim si të dua”, duke insistuar në përdorimin e termit “Maqedoni”. Mickoski ishte i vendosur: “Nëse Greqia mendon se ne kemi shkelur Marrëveshjen e Prespës, le të ankohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Përndryshe, neni 19 i Marrëveshjes parasheh që të dy vendet “kontestet lidhur me Marrëveshjen do t’i zgjidhin vetëm me mjete paqësore, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”. Më pas, parashihet të kërkohet një zgjidhje përmes negociatave dypalëshe, dhe me ndihmën e OKB-së. Nëse negociatat dështojnë, atëherë mund të iniciohet kontest para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë:

“Neni 19

Palët do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ekskluzivisht me mjete paqësore, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në rast se njëra nga palët konsideron se pala tjetër nuk po vepron në përputhje me dispozitat e kësaj Marrëveshjeje, ajo Palë do të njoftojë fillimisht palën tjetër për shqetësimin e saj dhe do të kërkohet një zgjidhje me bisedime. Nëse Palët nuk mund ta zgjidhin çështjen në mënyrë dypalëshe, Palët mund të bien dakord t’i kërkojnë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të përdorë shërbimet e tij të mira për të zgjidhur çështjen.

Çdo mosmarrëveshje që mund të lindë midis Palëve në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe që nuk zgjidhet në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 19, paragrafi (2), mund të parashtrohet përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Palët duhet së pari të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për të sjellë bashkërisht një kontest të tillë para gjykatës në fjalë. Megjithatë, nëse një marrëveshje e tillë nuk arrihet brenda gjashtë muajve, ose për një periudhë më të gjatë të rënë dakord reciprokisht nga të dyja palët, atëherë një mosmarrëveshje e tillë mund të parashtrohet para së njëjtës gjykatë nga secila palë individualisht.”

Pas deklaratës së Mickoskit se Greqia mund të ankohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ministri grek i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis, ka dërguar mesazh të ri – se nuk ka hapësirë për asnjë lëshim.

“Greqia do të monitorojë rreptësisht situatën në Maqedoninë e Veriut. Me të vërtetë kërkojmë nga qeveria dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut që të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e Prespës. Jemi shumë të lumtur të diskutojmë më tej, por, siç thashë, nuk mund të tolerohen lëshime për bazat”, tha Gerapetritis.

Ai thotë se nuk pajtohet me Marrëveshjen e Prespës sepse është “një tekst juridik me probleme të mëdha që shfaqen me kalimin e kohës”, por se megjithatë ai përfaqëson një të drejtë ndërkombëtare që duhet respektuar sepse sipas Kushtetutës është më lart se çdo dispozitë tjetër ligjore.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar edhe një herë sot se shkelja e Marrëveshjes së Prespës, e cila zgjidhi mosmarrëveshjen e gjatë për emrin mes dy fqinjëve, do të cenojë ambiciet e vendit ballkanik për anëtarësim në BE, shkruan gazeta greke “Katimerini”.

Duke folur nga qyteti verior grek i Verias gjatë fushatës së tij përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor, Mitsotakis tha se tre memorandumet e mirëkuptimit në lidhje me marrëveshjen e vitit 2018 nuk do të ratifikohen nga Parlamenti për sa kohë që udhëheqja e re në Shkup vazhdon të shkelë marrëveshjen.

Ai tha se “nëse disa besojnë se mund ta injorojnë marrëveshjen, duhet të kuptojnë se rruga e tyre drejt Evropës do të mbetet e mbyllur dhe memorandumet nuk do të ratifikohen nëse nuk respektohet ajo që parashikon marrëveshja”.

“Do të doja të jem plotësisht i qartë nga këtu, nga zemra e Maqedonisë. Demokracia e Re nuk e votoi Marrëveshjen e Prespës dhe ne shprehëm kundërshtime serioze kur ajo u ratifikua në Parlamentin grek. Por ne thamë me sinqeritet absolut, nuk ju kam mashtruar kurrë, që pasi të kalojë kjo Marrëveshje, ajo praktikisht nuk mund të ndryshohet dhe do të jemi të detyruar, pavarësisht problemeve që ka, ta respektojmë. Dhe këtë e bëmë. Nëse disa besojnë se mund të mos e respektojnë Marrëveshjen, duhet të dinë dy gjëra: së pari, rruga e tyre drejt Evropës do të mbetet e mbyllur dhe së dyti, memorandumet që duhet të ratifikojmë nuk do të ratifikohen, për sa kohë që nuk ka harmonizim absolut”, tha Mitsotakis.

Mickoski: E drejtë themelore e njeriut është se si do ta quajë shtetin e tij para publikut dhe mediave

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit para Samitit Maqedoni 2025, në lidhje me betimin solemn të kryetares Siljanovska Davkova, theksoi se ka qenë është dinjitoze dhe se në vend të muskujve politikë, priste një urim nga fqinji ynë jugor.

“Nuk pres që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në muskuj politikë, presim të kemi marrëdhënie të mira dhe të shkëlqyera fqinjësore. Unë e vlerësoj që VMRO-DPMNE-ja dhe qeveria atje e udhëhequr nga Demokracia e Re kanë qëndrimin e tyre në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, as njërës palë e as tjetrës nuk i pëlqen ajo marrëveshje”, tha Mickoski.

Ai thotë se ndryshe nga Greqia, Marrëveshja e Prespës është pjesë e institucioneve maqedonase, e Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë dhe komunikimi në institucione dhe vetë institucionet mbetet në përputhje me Kushtetutën, por e drejta e tij themelore e njeriut është se si do ta quajë vendin e tij në para publikut dhe mediave.

“Unë pres që mënyra e sjelljes së Presidentes Siljanovska të jetë përdorimi i Maqedonisë dhe maqedonase sepse në këtë mënyrë sipas interpretimit tonë të Marrëveshjes së Prespës nuk kemi shkelje të saj dhe shfrytëzoj rastin që t’u them miqve tanë nga Greqia që të ndalojnë me kërcënimet, pengesat, kthimin pas, të shohim në të ardhmen, këto janë dokumente që janë pjesë e të drejtës. Nëse ata mendojnë se ne e kemi shkelur marrëveshjen, atëherë është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e atje do t’i kryqëzojmë argumentet. Nuk do të doja të ndodhte kështu, bëj thirrje për marrëdhënie miqësore, për të ndihmuar njëri-tjetrin. Dhe, nëse dikush pret që VMRO-DPMNE-ja të përsërisë gabimet e së kaluarës, të jeni të sigurt se ne nuk do ta bëjmë këtë”, theksoi Mickoski.

Ndryshe, reagime për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.