8 milionë euro u ndanë në mënyrë të dyshimtë nga Ana Mihajllov, LSDM kërkon hetim urgjent

LSDM-ja opozitare ka akuzuar Qeverinë se ka emëruar person nën hetim aktiv nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) si drejtuesw të Agjencisë Kombëtare që menaxhon fondet nga programi Erasmus+. Partia vlerësoi se ky veprim është “goditje e rëndë për besimin e të rinjve dhe sistemin arsimor” dhe kërkoi shkarkim të menjëhershëm. VMRO-ja i konsideron hipokrizi reagimet e LSDM-së, transmeton Portalb.mk.

Sipas LSDM, VMRO-DPMNE u përpoq të relativizojë përgjegjësinë duke pretenduar se emërimi ishte “në koordinim”, por shmangu përgjigjen e pyetjes kryesore: nëse Bashkimi Evropian dha pëlqimin e tij që Ana Mihajlov të zgjidhet si u.d. drejtoreshë.

“Qeveria duhet të shkarkojë menjëherë Ana Mihajlov dhe të sigurojë kushte që hetimi i Prokurorisë Publike të vazhdojë pa pengesa; Prokuroria duhet të veprojë mbi gjetjet e OLAF dhe të gjithë të përfshirët duhet të mbahen përgjegjës. “Nuk ka vend për abuzime në arsim. Duhet të ketë përgjegjësi”, tha LSDM.

Menjëherë kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, ata thonë se LSDM-ja ishte në pushtet për 7 vjet nga viti 2017 deri në vitin e kaluar.

“Nëse do të kishte diçka të diskutueshme në Agjencinë Erasmus +, ata jo vetëm që do të kishin burgosur njerëz, por edhe do t’i kishin filmuar dhe nënçmuar”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se, ardhja e drejtorit paraprak, Petar Bogojeskit në krye të ANPAEM u cilësua nga opinioni si skandaloze për faktin se qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar. Partitë opozitare shqiptare e vlerësuan si “provokim në dëm të bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane”, ndërkaq koalicioni shqiptar në pushtet VLEN nuk e cilësoi si shqetësim emërimin e Bogojeskit për drejtor.

Agjencia Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë është përgjegjëse për zbatimin e programit Erasmus+ në Maqedoni, i cili çdo vit shpërndan miliona në grante në sektorët e arsimit, të rinjve dhe shoqërisë civile.