RMV, një ushtar 25-vjeçar vdiq pasi iu përkeqësua gjendja gjatë një stërvitjeje dhe u dërgua në spital

Shtabi i Përgjithshëm i Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi opinionin se më 19 qershor, rreth orës 23:15, një pjesëtar i Armatës, ushtar profesionist me iniciale A.J vdiq në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv (KARIL) në moshën 25 vjeçare, transmeton Portalb.mk.

Ushtari profesionist është një nga kandidatët që ka ndjekur kursin selektiv për batalionin e forcave speciale, i cili po zhvillohet prej njëzet ditësh në Stërvitjen e Ushtrisë “Krivolak”.

Ushtari në fund të kryerjes së disiplinës së fundit të kursit selektiv, një marshim në distancë në orët e vona të pasdites, pas orës 18.30, pa asnjë shenjë paraprake të dukshme, papritur u sëmur, pas së cilës ra pa ndjenja.

Menjëherë me automjetin e spitalit të ushtrisë dhe i shoqëruar nga një mjek ushtarak i cili është vazhdimisht i pranishëm në aktivitetet e kursit selektiv, është dërguar në objektin më të afërt shëndetësor, në qendrën shëndetësore në Negotinë, pas së cilës menjëherë pas kryerjes së analizave intervenuese, i njëjti me veturë spitalore është dërguar në Klinikën KARIL në Shkup, ku stafi ka marrë të gjitha masat për reanimim, por pas një kohe të shkurtër është konstatuar vdekja.

Udhëzime për procedurë të mëtutjeshme dhe përcaktimin e rrethanave në të cilat ka ndodhur aksidenti gjatë orëve të natës janë dhënë nga prokurori publik i cili do ta udhëheqë procedurën e mëtutjeshme hetimore.

Raporti zyrtar për shkaqet e vdekjes së ushtarit do të bëhet i ditur pas kryerjes së autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, pas së cilës publiku do të njoftohet menjëherë.

Ushtari i ndjerë e ka nisur kursin selektiv 24 ditor në gjendje të mirë shëndetësore dhe në gjendje të shkëlqyer fizike.