RMV, inaugurimi i presidentes së re Siljanovska Davkova do të bëhet të dielën

Inaugurimi i presidentes së re të shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, do të bëhet të dielën në ora 12:00. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Jovan Mitreski njoftojnë se pasi të arrijë raporti zyrtar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, Mitreski seancën do ta caktojë për të dielën në ora 12:00, transmeton Portalb.mk.

Afati që KSHZ-ja t’i dërgojë rezultatet përfundimtare në Kuvend është deri të premten në ora 19:00, ndërsa afati për inaugurim është deri më 12 maj (e diel), sepse atëherë i skadon mandati Stevo Pendarovskit.

Siljanovska Davkova do të bëjë betimin para përbërjes së vjetër parlamentare. Më pas, Siljanovska Davkova do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i cili udhëhoqi koalicionin fitues “Maqedonia juaj”.

Sipas KSHZ-së, me 99,96 për qind të votave të përpunuara, Siljanovska Davkova ka fituar 560.744 vota, përkatësisht 65,15 të votave, ndërsa Pendarovski ka fituar 251.755 vota ose 29,25 për qind nga numri i përgjithshëm i votave.

Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës është Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura. Presidenti ushtron të drejtat dhe detyrat e tij në bazë dhe në kuadrin e Kushtetutës dhe ligjeve dhe zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të menjëhershme, me votim të fshehtë, për një periudhë 5-vjeçare.

President zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga votuesit që kanë votuar, nëse kanë votuar më shumë se gjysma e votuesve.

Zgjedhja për Presidentin e Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm. Në rast të përfundimit të mandatit të Presidentit të Republikës për çfarëdo arsye, zgjedhja e presidentit të ri bëhet brenda 40 ditëve nga dita e përfundimit të mandatit.

Para marrjes së detyrës, Presidenti i Republikës bën një deklaratë solemne para Kuvendit, në të cilën merr përsipër të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Në rast vdekjeje, dorëheqjeje, pamundësie të përhershme për të kryer funksionin ose përfundimin e mandatit në bazë të Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, funksionin e Presidentit të Republikës e kryen kyetari i Kuvendit.

Paraqitjen e kushteve për përfundimin e funksionit të Presidentit të Republikës e përcakton Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë sipas detyrës zyrtare.

Detyra e Presidentit të Republikës është e papajtueshme me kryerjen e një funksioni, profesioni ose pozicioni tjetër publik në një parti politike. Presidenti i Republikës gëzon imunitet. Gjykata Kushtetuese vendos heqjen e imunitetit të Presidentit me dy të tretat e shumicës së numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë e cakton mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë; emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët dhe zëvendësit e Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit; merr kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë; propozon dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë; propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikan; emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë; propozon anëtarët e Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare; emëron dhe shkarkon bartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike; jep dekorata dhe mirënjohje në përputhje me ligjin; jep falje në pajtim me ligjin dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Presidenti i Republikës i raporton Kuvendit për çështjet e kompetencës së tij të paktën një herë në vit. Kuvendi mund t’i kërkojë Presidentit të Republikës mendim për çështje që janë në juridiksionin e tij.

Presidenti i Republikës është Kryetari i Këshillit të Sigurisë, i cili përbëhet nga: Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Qeverisë, ministrat që drejtojnë organet e administratës shtetërore në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe punëve të jashtme dhe tre anëtarë të emëruar nga Presidenti i Republikës.

Këshilli shqyrton çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe i bën propozime Kuvendit dhe Qeverisë.

Presidenti i Republikës është përgjegjës për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve në ushtrimin e të drejtave dhe detyrave të tij. Procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës e fillon Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Përgjegjësia e Presidentit vendoset nga Gjykata Kushtetuese me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Nëse Gjykata Kushtetuese përcakton përgjegjësinë e Presidentit të Republikës, detyra e tij pushon në bazë të Kushtetutës.

Kujtojmë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan dje, Gordana Siljanovska Davkova mori 560.173 vota, ndërsa presidenti tashmë në largim Stevo Pendarovski mori 251.541 vota.