Gir, Varheji dhe Aggeler uruan Siljanovskën, presin bashkëpunim në përshpejtimin e negociatave me BE-në

Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhei dhe ambasadori evropian në vend, David Geer, përmes platformës X, uruan kandidaten e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova për fitoren në zgjedhjet presidenciale. Gir dhe Varheji thanë se presin bashkëpunim të ngushtë me kreun e ri të shtetit për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Urime presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut! Me padurim pres të punoj me presidenten Gordana Siljanovska Davkova për të përshpejtuar reformat e nevojshme për të çuar përpara procesin e negociatave për anëtarësim”, ka thënë Varhei në një mesazh urimi në platformën “X”.

“Urime Gordana Siljanovska-Davkova për zgjedhjen e saj si presidente e Maqedonisë së Veriut. Mezi pres të punojë ngushtë me të për të ardhmen evropiane të vendit”, shkroi Gir.

Edhe ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, sot përmes një njoftimi në rrjetin social X, ia uron fitoren në zgjedhjet presidenciale kandidates së mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova dhe zgjedhjen e saj, siç shkruan ajo, historike si presidentja e parë grua e Maqedonisë.

Në njoftim, Ageler thekson se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin synimet dhe integrimin euroatlantik të vendit.

“Urimet e mia të përzemërta për Gordana Siljanovska-Davkova për zgjedhjen e saj historike si presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut. Urime të gjithë atyre qytetarëve që ushtruan dje të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin synimet tuaja për sigurinë, prosperitetin dhe integrimin e plotë euroatlantik të këtij vendi”, shkroi Ageler në X.

Kujtojmë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan dje, Gordana Siljanovska Davkova mori 560.173 vota, ndërsa presidenti tashmë në largim Stevo Pendarovski mori 251.541 vota.