Prapaskenat e përçarjeve në BESA, çfarë ndodhi dhe kush e ka shumicën? (Dokumente)

Dallimet në mendime në kreun e Lëvizjes BESA kanë filluar që nga rezultati i dobët i zgjedhjeve lokale në Maqedoni që u mbajtën në tetor kur kjo parti humbi rreth 10 mijë vota. Themeluesit e partisë dhe anëtarët e kryesisë të pakënaqur nga ky rezultat sepse fitoi vetëm një komunë, filluan ta ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjegjësi politike nga lideri Bilall Kasami si dhe të kërkojnë shkaqet e dëshmimit, por ky i fundit as që ka dashur të diskutojë në këtë temë njofton Portalb.mk.

Dy muaj para

Menjëherë pas rezultatit jo të kënaqshëm zgjedhor, në mbledhjen e Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA në Shkup më 18 nëntor 2017 u caktua data e mbajtes së Kongresit të parë partiak, 24 shkurti 2018. Në këtë mbledhje në mënyrë unanime u vendos që pas realizmit të zgjedhjeve të brendshme partiake të mbahet Kongresi.
Ky ishte unanimiteti i fundit në këtë parti sepse më pas filluan kundërthëniet më të mëdha. Sipas burimeve të Portalb.mk, aspiratat e Kasamit kanë qenë që ai të udhëheq partinë para dhe pas Kongresit por disa nga anëtarësia e lartë kanë menduar ndryshe, duke pasur emra tjerë potencial për kryetar, jo-zyrtarisht si që është përfolur deri më tani në shumë media, Adnan Ismaili, pronari i shtëpisë botuese Logos-A. Edhe pse i kontaktuar nga Portalb, Ismaili mbetet i pakapshëm për prononcim ndërsa në konferencë për shtyp të mbajtur martën, Kasami konfirmoi aspiratat e tij, por tha se ai inkurajon edhe kandidatura tjera.

Në periudhën dy mujore nëntor-janar, janë mbajtur tre mbledhje në të cilën disa anëtarë të Kryesisë Qendrore, kanë kërkuar nga Këshilli Qendror të diskutojë për përgjegjësinë politike të Kasamit. Por, ky i fundit i ka lëshuar mbledhjet kur ka ardhur rendi i ditës për të diskutuar për dorëheqjen e tij me arsyetimin se ai jep llogari vetëm para Kongresit, thonë anëtarët e Këshillit për Portalb.mk.

“Ne kemi kërkuar përgjegjësi për humbjen, kush është përgjegjës, por ai nuk ka qëndruar në mbledhje sepse nuk ka dashur të jep dorëheqje. Ne vazhdimisht kemi kërkuar të shkarkojmë gjitha organet e kryesisë dhe në kongres të konkurrojë secili që dëshiron të jetë kryetar partie. Edhe Kasami mund të konkurrojë por paraprakisht të jep dorëheqje dhe më pas të konkurrojë dhe të votohet nga kryesia. Këtë Kasami nuk e ka pranuar duke këmbëngulur që vetëm ai të jetë kandidat për kryetar dhe më pas kryetar i partisë. Prandaj ne u irrituam nga kjo sjellje dhe u detyruam ta shkarkojmë atë sepse ne kemi shumicën.” tha ditë më parë, deputeti Nexhbedin Karemani për Portalb.mk.

Pasi që kryetari ka lëshuar mbledhjet, 62 nga 108 anëtarë të Këshillit Qendror kanë mbledhur nënshkrime për të mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku do të kërkohej llogari nga ai dhe të njëjtat ia kanë deponuar Kasamit dhe gjithë 47 anëtrateve tjerë të Këshillit.

“Me të marrë nënshkrimet, Kasami ka caktuar mbledhje të rregullt më 6 janar 2018 në Tetovë” konfirmoi zëdhënësi i partisë, Orhan Murtezani për Portalb.mk.

Në ndërkohë, më 24 dhjetor është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme Këshillit Qendror me 62 anëtarët në të cilën është vendosur që ata të marrin pjesë në mbledhjen e 6 janarit në Tetovë ku së bashku me Kasamin do të diskutonin për dorëheqjen e tij dhe për Kongresin.

Në një paraqitje televizive në TV21 të martën, Bilall Kasami tha se gjitha këto kanë qenë debate të brendshme partiake sepse, sipas tij, partia ka nivel të ngritur demokratik. Ai tha se është i hapur për debat por se llogari jep vetëm para Kongresit, ndërsa sipas tij “personat që gabojnë, dënohen.”

Dy ditë para

Gjithçka ka eskaluar kur Kasami me datë 4 janar 2018 ka shkarkuar nga pozitat e tyre në Këshill dy personat më të zëshëm dhe deri dje bashkëpunëtorë më të ngushtë, që kanë kërkuar llogari-dhënien nga ai në këtë mbledhje të 24 dhjetorit, Afrim Gashin dhe Skender Rexhepin.

Në vendimin e shkarkimit që siguroi Portalb.mk thuhet se përjashtohen pasi kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme (të 24 dhjetorit) duke shkelur kështu statutin në nenin 42, alinea 5, i cili thotë që “Këshilli Qendror thirret dhe udhëhiqet nga Kryetari i Lëvizjes BESA” dhe se kanë mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme edhe pse paraprakisht ishte caktuar mbledhje e rregullt.

Nga ana tjetër, Skender Rexhepi tha për Portalb.mk mbledhja e jashtëzakonshme e cila përkrahej nga 62 anëtarë të Këshillit Qendror është thirrur në rregull, sipas nenit 42 alinea 6 dhe se pa të drejtë është shkarkuar ai dhe Gashi.

Neni 42 thotë qëKryetari obligohet të thirr mbledhje të Këshilli Qendror nëse atë e kërkon Kryesia Qendrore ose nëse një gjë të tillë e kërkojnë 1/3 e anëtarëve të Këshillit Qendror. Për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta, anëtarët e Këshillit Qendror duhet të njoftohen së paku 7 (shtatë) ditë paraprakisht, ndërsa për mbajtjen e mbledhjeve të jashtëzakonshme anëtarët duhet të njoftohen së paku 2 (dy) ditë paraprakisht.”

Në paraqitjen televizive në TV 21, Kasami demantoi duke thënë që nuk ka përjashtuar ata për revanshizëm politik, por thjeshtë se “kanë shkelur statutin për organizim të mbledhjeve të jashtëzakonshme”.

Mbetet që organet e drejtësisë të vendosin për rregullshmërinë e mbajtjes së mbledhjeve sepse sipas statutit, edhe kryetari por edhe 1/3 e Këshillit Qendror kanë të drejtë për të mbajtur mbledhje.

Në ditën e mbledhjeve të dyfishta

Tetova: Nga kumtesat që u lëshuan në media paradite nga kjo parti, u bë me dije se diçka nuk po shkon në rregull. Në kumtesë denoncohej që dikush ka prishur ueb-faqen e lëvizjes si dhe “persona të paautorizuar” kanë thyer dyert në selinë e Shkupit. Për tu kuptuar më vonë që grupi që kërkon dorëheqjen e tij, në fakt ishin prezent në seli.

Në ora 16 Bilall Kasami dhe anëtarë të partisë mbajtën mbledhjen ku vendosën që deri në mbajtjen e kongresit të parë të partisë, me partinë do vazhdojë të udhëheqë kryetari Bilall Kasami, të mbahet kongresi më datë 24.02.2018 si dhe të bëhet zgjedhja e Komisionit për Organizimin e Kongresit. Ata dërguan kumtesë në media.

Për të vërtetuar legjitimitetin e mbledhjes, Portalb nga zëdhënësi Abdush Demiri kërkoi listën e pjesëmarrësve në këtë mbledhje, listën e atyre që janë anëtarë të Këshillit Qendror dhe që kanë votuar për këtë vendim, por ai REFUZOI ta jep të njëjtën. Nga e gjithë kjo mbledhje, janë vetëm këto fotografi që po i shihni.

Burime të Portalb thonë që në mbledhje kanë votuar persona që nuk i takojnë Këshillit. Redaksia jonë i bëri pyetje publike Kasamit a i takojnë Këshillit personat: “Hulusi Asipi, Avni Saliji, Adnan Sejfullai, Nashit Ferati?” por ai tha që janë anëtarë dhe se “kjo është çështje e brendshme partiake” tha shkurt ai.

Shkupi:

Në mbledhjen e Këshillit Qendror të rregullt të thirrur dy javë më parë nga Bilall Kasami e cila do të mbahej në Tetovë më 6 janar, ishin nisur të marrin pjesë dhe 62 anëtarët e Këshillit Qendror që më pas e shkarkuan Kasamin. Por, sipas Orhan Murtezanit, ata kanë hasur në shumë kërcënime nëse shkojnë atje andaj kanë vendosur që mbledhjen ta mbajnë në Shkup.

Pasi kishin hyrë në selinë e Shkupit, duke thirrur dhe sigurim, më vonë diku në ora 18 dolën me konferencë për media. Në këtë mbledhje, 62 nga gjithsej 108 anëtarë, tre deputetë dhe nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA kanë diskutuar për rezultatin zgjedhor në zgjedhjet lokale dhe më pas shkarkuan Bilall Kasamin në bazë të nenit 14, alinea 1, 2 dhe 5.

“Me këtë rast, pos tjerash, në këtë mbledhje të Këshillit Qendror, u diskutua për përgjegjësinë e kryetarit të Lëvizjes për rezultatin zgjedhor në zgjedhjet lokale, përgjegjësia për bllokimin dymujor të organeve të Lëvizjes nga Kryetari, por edhe shkelja e Statutit të Lëvizjes nga ai. Për këto arsye sot Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA në mënyrë unanime e vendosi shkarkimin e Bilall Kasamit nga detyra e Kryetarit të Lëvizjes BESA. Natyrisht, për këtë do të njoftohen zyrtarisht edhe organet e drejtësisë dhe institucionet e tjera.” tha Murtezani në konferencë për mediat.

Për të vërtetuar legjitimitetin e mbledhjes, Portalb kërkoi dhe mori listën e pjesëmarrësve në mbledhje së bashku me nënshkrimet. Në këtë listë kanë nënshkruan 64 persona por dy persona janë nënshkruar dy herë: Daim Luçi dhe Iljasa Veseli ndërsa dy persona nuk gjenden në listën e Këshillit Qendror që e keni më poshtë: Medin Elmazi dhe Ali Maksuti.
Ndërkaq ka nënshkruar edhe Zeqirija Ibrahimi i cili dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të partisë, por ka ngelur në Këshillin Qendror. Kështu që, mund të konkludohet se 62 persona nga 108 anëtarë të Këshillit Qendror janë pro shkarkimit të Bilall Kasamit që është shumicë apo 57.41%.

Krahu i Bilall Kasamit mban të fshehur listën e pjesëmarrësve në mbledhjen e 6 janarit në Tetovë.

Portalb ju siguron listën e gjithë Këshillit Qendror të partisë BESA. Me te kuqe janë ata që e përkrahin shkarkimin e Kasamit.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP