Kongresi i parë i BESA-s: Dy lloje kumtesash, mbledhjesh të Këshillit, vendime për Bilall Kasamin e thyerje dyersh

Dy lloj njoftimesh nga Lëvizja BESA, dy lloje mbledhjesh të Këshillit Qendror në Tetovë dhe në Shkup, dy lloje vendimesh, një akuzë e përbashkët “shkelje e statutit të partisë” dhe papajtueshmëri që çështjet e partisë të shkojnë në organet e gjyqësisë, ishin përfundimet nga zhvillimet e sotme të partisë opozitare shqiptare në Maqedoni, Lëvizja BESA, shkruan Portalb.mk.

E vetmja gjë e përbashkët është data e mbajtjes së kongresit të partisë, më 24 shkurt të 2018-s.

11:08- Gjithçka nisi me një njoftim që erdhi nga Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA në Tetovë ku u tha se faqet zyrtare të partisë dhe liderit të saj, Bilall Kasami janë hakuar nga persona të panjohur.

“Njoftojmë opinionin se faqja zyrtare e Lëvizjes Besa dhe faqja e kryetarit Bilall Kasami janë sulmuar nga hakerët. Andaj ju lutemi që nga ky momentmçdo publikim në këto dy faqe ta injoroni dhe mos ta merrni në konsideratë.
Nga ky moment të gjitha publikimet që mund të dalin në të dy faqet e lartpërmendura në Facebook nuk paraqesin qëndrimin e Lëvizjes Besa ose tënkryetarit Bilall Kasami. Ju lutemi të keni mirëkuptim deri në tejkalimin
e kësaj situate. Opinioni do të njoftohet në kohë pasi në rrugë juridike t’i kthejmë faqet zyrtare dhe përgjegjësit e këtij sulmi kibernetik tëNdalin para drejtësisë”, thonë nga Lëvizja BESA.

15:12- Pas kësaj, erdhi një njoftim tjetër në të cilin u njoftua se janë thyer edhe dyert e selisë së BESA-s në Shkup, që nënkupton se edhe ky njoftim erdhi nga Këshilli Qendror i BESA-s në Tetovë që njoftoi se mbledhja e këshillit qendror do të mbahet në Tetovë në ora 16:00.

“Pas njoftimit të thyerjes së faqes zyrtare të kryetarit Bilall Kasami dhe faqen zyrtare të Levizjes BESA, sot persona të pautorizuar kanë thyer dyert e zyrës së Lëvizjes BESA në Shkup. Për këtë incident janë të njoftuar edhe organet kompetente. Detajet për rastin do të kumtohen pas mbledhjes së këshillit të përgjithshëm që do të mbahet sot në Tetovë në ora 16:00”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA.

15:44- Disa minuta më vonë erdhi edhe një njoftim tjetër, gjithashtu nga i njëjti e-mail ku u tha se mbledhja do të mbahet në Shkup, në ora 16:30 nga ku më pas do të mbahej konferencë për media në ora 17:00.

“Me kërkese të shumicës të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA mbledhja e radhës e Këshillit Qendror do të mbahet në selinë qendrore të Lëvizjes BESA në Shkup në ora 16:30. Në orën 17:00 do të kemi edhe konferencë për media”, njoftuan nga BESA.

15:16- Por, derisa gazetarët prisnin në selinë e BESA-s në Shkup për konferencën e paralajmëruar, në e mail erdhi sërish njoftim, edhe ky nga Këshilli Qendror në Tetovë ku u tha se Kasami do të vazhdojë të jetë lider i BESA-s deri në mbajtjen e kongresit të parë të partisë.

“Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Qendror të Lëvizjes Besa e mbajtur në Tetovë u sollën këto vendime: për mbajtjen e Kongresit të Parë të Lëvizjes Besa më 24.02.2018, zgjedhja e komisionit për Organizimin e Kongresit dhe deri në mbajtjen e kongresit të parë të partisë, me partinë do vazhdojë të udhëheqë kryetari Bilall Kasami”, u tha në njoftimin paraprak të BESA-s.

18:00- Pas këtij lajmi, mbaroi mbledhja e Këshillit Qendror në Shkup, nga ku, me një orë vonesë seç u paralajmërua, në ora 18:00, Orhan Murtezani njoftoi se është shkarkuar Bilall Kasami nga posti i liderit të Lëvizjes BESA.

“Sot në mbledhjen e Këshillit Qendror ishin shumica e anëtarëve, 64 nga gjithsej 108 anëtarë. Këtu ishin edhe tre deputetë të Lëvizjes BESA si dhe nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA. Në këtë mbledhje, mes tjerash u diskutua edhe për rezultatin zgjedhor në zgjedhjet lokale, përgjegjësia për bllokimin dymujor të organeve të partisë nga kryetari por edhe shkelja e statutit të Lëvizjes BESA nga ai. Për këto arsye sot Këshilli Qendror, në mënyrë unanime vendosi shkarkimin e Bilall Kasamit nga detyra e kryetarit të partisë. Për këtë do të njoftohen edhe organet e drejtësisë”, tha Orhan Murtezani.

18:45- Pas kësaj, Bilall Kasami për Portalb.mk deklaroi se shkarkimi i tij është vendim ilegal, jashtë statutit të partisë. Ai tha se edhe hyrja në selinë e Shkupit është bërë në mënyrë ilegale, siç thotë ai, sikurse u thyen edhe faqet zyrtare në fejsbuk.

“Këshilli Qendror ashtu siç u thirr zyrtarisht ka mbajtur mbledhje në Tetovë dhe i ka sjellë vendimet ashtu siç ka qenë me rend, ashtu siç parashihet më statutin e partisë”, tha Kasami.

Organet e drejtësisë pika ndarëse e Këshillit Qendror të Tetovës dhe Shkupit

Dërgimi i çështjeve partiake deri në organet gjyqësore nuk u përjashtua nga Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA në Shkup.

“Për këtë do të njoftohen edhe organet e drejtësisë”, tha Orhan Murtezani.

Se a do të shkojë shkarkimi i tij nga Kryesia Qendrore e Shkupit në organet e drejtësisë, Bilall Kasami tha: “Ne nuk kemi çfarë të drejtohemi në organet e drejtësisë, sepse ne e kemi legalitetin e partisë. Sipas të gjitha normave statutore është mbajtur mbledhja në Tetovë, ashtu edhe u sollën vendimet që tashmë ju i keni”, tha Kasami.

Përndryshe, dje nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi se jep dorëheqje të parevokueshme nga kjo detyrë. Ai tha se në vigjilje të mbajtjes së mbledhjes së rregullt të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA, ndërsa në frymë të konstruktivitetit, vetëmohimit dhe gatishmërisë për zhbllokimin e organeve të Lëvizjes dhe për rihapjen e procesit për zgjedhje të brendshme, deklaroj se nga dita e sotme (5 janar 2018) jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra “nënkryetar i Lëvizjes BESA”.

Kronologjia e ngjarjeve: 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP