Zjarret në Francë zbuluan 400 predha të Luftës së Dytë Botërore
Pas zjarreve që përfshinë Francën, në rajonin jugperëndimor janë zbuluar rreth 400 predha dhe municione të tjera që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore, transmeton Portalb.mk.
Municionet janë gjetur në Le Porge, qytet i prekur rëndë nga zjarri që ende është aktiv që nga 22 korriku.
Ekipet e asgjësimit të bombave kanë punuar në këtë zonë për disa ditë, duke lejuar të gjithë banorët të kthehen në shtëpitë e tyre dje.
Shpërthimet të cilat u dëgjuan gjatë zjarrit fillimisht besohej se kishin ardhur nga bombola gazi, megjithatë autoritetet më vonë theksuan se disa mund të ishin shkaktuar nga predha artilerie të ekspozuara ndaj nxehtësisë së fortë.
Municionet e gjetura përfshijnë armë gjermane dhe franceze. Autoritetet thanë se predhat e gjetura do të transportohen në një vend ushtarak për asgjësim.