Zjarret dhe përmbytjet, fatkeqësitë natyrore më të shpeshta në RMV në dy dekadat e fundit

Zjarret dhe përmbytjet janë fatkeqësitë natyrore më të shpeshta që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut në periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2023, tregon Analiza e ngjarjeve ekstreme të motit të cilën e përgatiti Qendra për Ndryshime Klimatike. Vetëm këto dy fatkeqësi përbëjnë mbi 90 përqind të fatkeqësive natyrore që kanë ndodhur në vendin tonë. Të dhënat e analizuara nxjerrin në pah se zjarret dhe përmbytjet më së shumti janë regjistruar në periudhën nga muaji mars deri në muajin shtator, ndërsa në dhjetë vitet e fundit numri i tyre është rritur, gjë që tregon se janë të lidhura drejtpërdrejt me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe rritjen e temperaturave mesatare, shkruan Meta.mk.

Hulumtimi tregoi se më të rrezikuara dhe më të ekspozuara ndaj zjarreve janë komuna e Koçanit, Kavadarit, Kratovës, Negotinës dhe Velesit. Sa i përket vërshimeve, më të rrezikuara janë Çeshinova-Oblesheva, Koçani dhe Demir Hisari. Sipas rajoneve planore ekspozim më i lartë ndaj ngjarjeve ekstreme të motit është regjistruar në Rajonin e Vardarit, pastaj në Rajonin lindor dhe atë verilindor.

Nga Qendra për Ndryshimet Klimatike thotë se për fat të keq në vendin tonë bëhen shumë pak analiza dhe kërkime të këtilla që duhet të japin përgjigje në pyetjet për atë se cilat rajone të vendit janë më të prekura nga fatkeqësitë natyrore, si dhe cilat janë më rezistente dhe kanë kapacitete më të mira për tu përballë me ato. Nuk ka të dhëna as edhe se cila prej këtyre ngjarjeve të motit shkakton dëme më të mëdha, kështu që për këtë arsye rrallë ndonjë nga komunat ka një përgjigje adekuate se si të përballet me to në mënyrën e duhur.

Kryetarja e Qendrës për ndryshime klimatike, Bojana Stanojevska-Pecurovska, thotë se analiza ka treguar se pjesa më e madhe e fatkeqësive natyrore që kanë ndodhur në vendin tonë, rreth 80 përqind, i përfshijnë zjarret në pyje dhe zjarret në mjedis të hapur dhe në toka bujqësore. Përmbytjet përbëjnë 12 përqind, ndërsa pjesa tjetër janë ngjarje ekstreme të motit si ngricat, rreshjet e borës, stuhitë, rrëshqitjet e dheut dhe erozioni që vjen si pasojë e përmbytjeve të mëdha.

“Të dhënat që i kemi fituar tregojnë se kemi nevojë për kontroll më të shpeshtë në zonat pyjore. Masa për ndalimin e lëvizjes në pyll është e shkëlqyer, por krahas saj institucionet duhet të punojnë në rritjen e kapaciteteve njerëzore që do të kontrollojnë nëse zbatohet kjo masë. Këto shërbime gjithashtu kanë nevojë për pajisje, kualifikime dhe automjete adekuate. Duhet të rritet numri i zjarrfikësve dhe numri i automjeteve, zjarrfikësit duhet të trajnohen dhe të kualifikohen më tej dhe të pajisen me pajisje moderne si drona, kamera termale e të tjera”, thotë Stanojevska-Pecurovska.

Ajo thotë se në vendin tonë ka shumë pak të dhëna se cila nga këto fatkeqësi natyrore çfarë dëme shkakton. Edhe pse zjarret janë më të shpeshta, përsëri ekziston mundësia që përmbytjet të shkaktojnë pasoja më të mëdha për komunitetet urbane dhe rurale. Nuk kemi as analiza të ngjarjeve të motit që kanë ndodhur në të kaluarën, që të mund t’i përcaktojmë kështu zonat më të rrezikuara të komunave dhe ato rreziqe të përfshihen në planifikimin dhe projektimin për ato pjesë, posaçërisht përmes vendosjes së mekanizmave që do të bazohen në njoftimin dhe paralajmërimin e hershëm.

“Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse dhe të gjithë vendimmarrësit t’i kenë prioritet këto probleme sepse presim që në të ardhmen të bëhen edhe më të shpeshta. Ne kemi analizuar një periudhë 18-vjeçare, por vihet re se në dhjetë vitet e fundit këto dukuri janë bërë më të shpeshta. Prandaj është e nevojshme që komunat të ndajnë sa më shumë mjete, si për parandalim ashtu edhe për reagim adekuat ndaj këtyre fatkeqësive natyrore”, thotë Stanojevska-Pecurovska.

Analiza rezulton se pushteti lokal ka mungesë të kapaciteteve njerëzore, gjë që e vërteton fakti se në sektorët për parandalimin dhe mbrojtjen nga rreziqet dhe fatkeqësitë natyrore punojnë nga një ose dy punonjës. As ata janë mjaftueshëm të kualifikuar, por as komunat nuk kanë një sistem dhe mekanizma të përshtatshëm për mbledhjen, ruajtjen dhe analizimin e të dhënave, të cilat do të përdoren më tej për t’i definuar masat e duhura për mbrojtje. njëkohësisht është e nevojshme që informacioni për parashikimet e fatkeqësive natyrore dhe ngjarjet e regjistruara të jetë në dispozicion të qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara në mënyrë që të arrihet mbrojtje dhe rezistencë më e madhe.

“Një numër i madh i komunave nuk kanë plane për parandalimin e fatkeqësive natyrore. Është e nevojshme që t’i përpilojnë, miratojnë dhe t’i zbatojnë ato, këshillon Stanojevska-Pecurovska.