Zelenski kërkon përshpejtim të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Vladimir Zelenski, sërish u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë “të zbatojnë shpejtë” marrëveshjet për armët dhe furnizimet e tjera për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit të nisur nga Rusia, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në një video-mesazh të publikuar në orët e vona të 14 shtatorit, ai tha se “është e rëndësisë kritike që të gjitha shtetet, veçmas SHBA-ja, të zbatojnë menjëherë marrëveshjet e arritura me Ukrainën”.

“Ndikimi duhet të ndihet në front”, tha Zelenski. “Çdo vonesë e pakove ushtarake ka pasoja negative në front. Çdo dërgesë në kohë, dërgesë e shpejt ka ndikim pozitiv”.

Përpjekjet e mëdha për të ndihmuar ushtarakisht Ukrainën po vazhdojnë, teksa NATO-ja po përballet me thirrje nga disa shtete anëtare që të furnizojë Kievin me armë më të avancuara.

Kievi po ashtu vazhdimisht thotë se ka nevojë që të kryejë sulme brenda territorit rus me armë me rreze të gjatë veprimi, në mënyrë që të mbrojë veten nga forcat pushtuese ruse. Ky argument ukrainas është mbështetur nga disa zyrtarë të NATO-s.