“Zbukurimi” me donacion për krijimin e katër planeve urbanistike ku duhet të kalojë bulevardi “Ilinden”, “shpërblehet” me leje ndërtimi

Në mënyrë që të vazhdohet bulevardi “Ilinden” në Tetovë nga pjesa te Posta deri te Stadiumi i qytetit është e nevojshme të bëhen katër plane urbanistike nëpër të cilat kalon kjo rrugë, pasi kjo zonë nuk ka plane detale urbanistike. Kjo do të bëhet me anë të donacionit nga kompania private “Zbukurimi”, donacion ky i cili u votua nga të gjithë 31 anëtarët e Këshillit Komunal të Tetovës, ndërkaq në një bllok tjetër kompania donatore do të ndërtojë, shkruan Portalb.mk.

Sektori i Urbanizmit dhe Menaxhimit me Tokë Ndërtimore në Komunën e Tetovës sqaroi se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka arritur marrëveshje me kompaninë “Zbukurimi” nga Xhepçishti i Tetovës që do të jetë financuese e këtyre planeve dhe do të bëhet në formë të donacionit.

“Bëhet fjalë për planet detale të blloqeve urbane 15, 23, 41 dhe 42. Këta janë blloqe urbane të cilat për momentin nuk kanë plane detale urbanistike dhe të cilët paraqesin rëndësi të veçantë për qytetin për arsye se në këto katër plane detale urbanistike duhet të depërtojë bulevardi i “Ilindenit”, respektivisht këta blloqe urbane gjenden në trasenë nga posta deri te stadiumi i qytetit. Duhet të përpilohen katër plane detale urbanistike për të mundur të krijojnë kushte për realizimin e atij bulevardi”, thanë nga Sektori i Urbanizmit.

Megjithatë, ky donacion ngriti pyetjen nga Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë.

“Është mirë kur ka donacione për komunën, gjithmonë i kemi përkrahur por u përmend se kryetari ka arritur marrëveshje me donatorin, nëse mund të shpaloset se çka është ajo marrëveshje, çfarë merr donatori në këmbim të këtij donacioni”, tha Veton Murati, këshilltar nga BDI.

Ndërkaq kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se marrin donacion për qytetin ndërkaq në njërin nga blloqet urbane kompania do të ndërtojë, por, theksoi ai se sipas ligjit.

”Për të planifikuar që dikush mund të ndërtojë në bazë të planit urbanistik, ajo që është obligim i kryetarit të komunës, të bëjë vlerësimin e kapacitetit dhe nevojave për ndërtimet dhe planifikimin e objekteve të reja, ne atë e kemi bërë dhe me mirëkuptimin që e kemi pasur donatori është i gatshëm që ti ndihmojë qytetit në pjesën e planifikimit. Më parë këto biseda janë bërë sa mua sa ty dhe e dimë se kush sa banesa ka ndërtuar në Tetovë. Po, i është bërë një shërbim me interes publik kompanisë që do ndërtojë por në të njëjtën kohë kompania ka dhënë një donacion që është interes i qytetit”, tha Kasami.

I pyetur se çfarë shërbimi i bëhet kompanisë në fjalë, Kasami deklaroi se në pjesën e planifikimit, kompania në një bllok urban ndërton në bazë të planit, ai shtoi se edhe ajo do shkojë në bazë të të gjitha procedurave.

“Nuk është se unë e kam të drejtën diskrecionale që të ja mundësoj diçka që është jashtë ligjit”, tha Kasami.

“Mirë që kryetari e pranoi se është këmbim dhe këmbimi nuk është donacion”, tha Liridon Disha, Këshilltar nga BDI.

Kasami theksoi se donatori nuk do ndërtojë ndërtesa shumë katëshe por në bazë të asaj që është e paraparë në atë pjesë të ndërtohet.

“Nuk është diçka jashtë planit, do vijë plani dhe do e shihni”, tha Kasami.

Debatin për këtë pikë mund ta ndiqni nga minuta e 30-të në videon e mëposhtme.

Rikujtojmë që, vazhdimin e bulevardit “Ilinden” Kasami e paralajmëroi në nëntor të vitit 2022, ku aso kohe ai deklaroi se kanë filluar me hapa konkretë.

Përndryshe, hapja e bulevardit “Ilinden” së bashku me atë “Industrial” dhe “Bllagoja Toskës” janë edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.