VMRO kundër “platformës së BDI-së për respektimin e vullnetit të votuesve”: Qëllimisht krijojnë ndarje ndëretnike

VMRO-DPMNE akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim për krijimin e qëllimshëm të ndarjeve etnike, vetëm pse nuk janë më pjesë e qeverisë, transmeton Portalb.mk.

“Për VMRO-DPMNE-në nuk është i pranueshëm parimi i reketimit që përfaqëson BDI, e ai është: nëse nuk jemi në pushtet për të vjedhur atëherë do të krijojmë çështje dhe përçarje etnike. BDI-ja deri para një muaj e gjysmë ishte në pushtet bashkë me LSDM-në dhe atëkohë Ali Ahmetit nuk i interesonte ndarja rajonale e Maqedonisë, pasi për të ishte e rëndësishme që “Arbëria” të fitonte tenderët e Artanit, të blinte nipi i Aliut Soravian, apo se firmat nënkontraktore të “Bechtel dhe Enka” të jenë njëjtë nga Zajazi apo të afërta me BDI-në”, tha zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.

BDI-ja tashmë ka angazhuar një ekip ekspertësh të udhëhequr nga njëri prej autorëve të Marrëveshjes së Ohrit, Paul Williams, detyra e të cilit është të krijojë një platformë që duhet të sigurojë respektimin e vullnetit të votuesve përmes legjitimitetit etnik në institucione. Kanali 5 kërkoi përgjigje nga BDI-ja nëse në kuadër të deklaratave janë shqyrtuar edhe modelet për ndarjen e Maqedonisë sipas rajoneve, sipas shembullit të Belgjikës dhe Irlandës së Veriut, por nga partia kanë thënë se shpresojnë që ekspertët ligjor amerikan do të kishin propozuar një platformë për të kapërcyer, siç thonë ata, krizën aktuale të qeverisjes jolegjitime dhe monoetnike në vend.

Disa nga analistë pranojnë se kërkesa të tilla të integristëve janë vetëm përpjekje për të mbajtur anëtarësinë në parti. Sipas Luljim Farizit, ka qenë BDI ajo që ka pohuar se marrëveshja kornizë e Ohrit është përmbushur në tërësi dhe se një platformë e tillë e tyre është në kundërshtim me qëndrimet e tyre të mëparshme dhe ata nuk shohin përfitime nga kjo.

“VLEN” është i mendimit se kjo lëvizje e BDI-së dhe e ashtuquajtura platformë ka për qëllim mbrojtjen e krimit të integristëve. Ata akuzojnë se partia e Ahmetit po përgatit ambient për kontestimin e përfitimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe se nga një platformë e tillë nuk mund të dalë asgjë e mirë.

Kujtojmë se në Mbledhjen e Përgjithshme që organizoi Bashkimi Demokratik për Integrim në Gostivar, u miratuan tri rezoluta pasi u vlerësua se gjendja në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese. BDI-ja këtë mbledhje e vlerësoi si “historike”.

“Ritheksojmë nevojën për qasje më proaktive të forcave kryesore ndërkombëtare që garantuan paqen duke përkrahur Marrëveshjen e Ohrit dhe potencojmë se një ndër postulatet kryesore që buron nga Marrëveshja e Ohrit është pikërisht mbrojtja nga majorizimi, gjë e cila aktualisht po minohet deri në fundosje të mundshme duke lejuar dhe duke mundësuar marrjen në Qeveri të koalicionit jo-fitues i cili nuk e manifeston vullnetin politik të shqiptarëve në RMV dhe si i tillë e shndërron Qeverinë në një Qeveri pa legjitimitet etnik”, thuhet në rezolutën e parë të titulluar “Legjitimiteti”.

Aty vlerësohet se vendosja e praktikave të këtilla minon të arriturat për liri e barazi, në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit, duke alarmuar se kjo do të kthen Maqedoninë e Veriut mbrapa.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.

Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM.