Videoja virale në postim nuk është nga një dasmë në Shkup

Videoja nuk ka lidhje me një dasmë në Shkup. E njëjta gjë u nda një vit më parë në një kontekst tjetër dhe mund të gjendet në rrjetet sociale me muzikë të ndryshme në sfond. Duket qartë se videoja është montuar në mënyrë që të duket si e realizuar në vendin tonë, për të tërhequr sa më shumë klikime dhe reagime, shkruan Vërtetmatësi.

Jemi duke analizuar një postim në Facebook që transmeton një video nga një dasmë e supozuar në Shkup, ku shihet dhëndri duke kërcyer dhe nusja duke u inatosur. Në postim thuhet:

Oh, turp për ne.

Në videon e titulluar “Problemet e një dasme në Shkup” mund të dëgjoni muzikë që është karakteristikë e një dasme maqedonase.

Postimi është mjaft viral dhe ka mbi 330 reagime dhe gati 80 komente.

Mirëpo, një kontroll i Vërtetmatësit tregoi se video dhe dasma nuk kanë lidhje as me Shkupin dhe as me Maqedoninë.

Është interesante se e njëjta faqe në Facebook që ka shpërndarë këtë video, kinse nga një dasmë në Shkup, e ka shpërndarë të njëjtën në tetor të vitit 2023, por më pas titullohet “Dje ka bërë dasmë shoferi i autobusit”.

Ne kërkuam videon në Google dhe zbuluam se ajo ishte shpërndarë në mediat sociale në gusht 2023. Nuk dihet se ku është realizuar saktësisht video, por muzika në të, mesa duket në postimin që po analizojmë, është montuar. Nuk ka lidhje me muzikën tipike të një dasme maqedonase, por është përpunuar për t’u dukur kështu.

Përkatësisht, videon e kemi gjetur në Instagram, të publikuar më 9 gusht 2023 dhe ka diçka të shkruar në arabisht. Kur të dëgjoni muzikën në video do të shihni se ajo nuk ka asnjë lidhje me muzikën e përfshirë në videon që po analizojmë.

Videon me të njëjtën muzikë e gjetëm edhe në Reddit, të publikuar një vit më parë.

Videoja është mjaft virale dhe mund të gjendet edhe në Tik Tok, e postuar një vit më parë.

Nga të gjitha faktet më sipër mund të konstatojmë se video nuk ka lidhje me një dasmë në Shkup. E njëjta gjë u nda një vit më parë në një kontekst tjetër dhe mund të gjendet në rrjetet sociale me muzikë të ndryshme në sfond. Duket qartë se videoja është montuar që të duket sikur është realizuar në vendin tonë, për të tërhequr sa më shumë klikime dhe reagime. Prandaj njoftimin e vlerësojmë si të pasaktë.