Vetëm një shqiptar i punësuar në MM, nga dy konkurse të shpallura, Mbrojtja numëroi arsyet e gjendjes faktike

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese për media ka dënuar përjashtimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga procesi i fundit i punësimit në Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga aty thonë se nga 74 të punësuarit 71 janë maqedonas, 2 romë dhe vetëm 1 është shqiptarë. Nga Ministria e Mbrojtjes në përgjigjen e tyre për Portalb.mk njoftuan se në ministri këtë vit janë punësuar 32 persona, e prej tyre vetëm një shqiptarë.  

“Kjo nuk është vetëm një padrejtësi! Kjo është realizim i një plani sistematik për përjashtimin e shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë nga institucionet e sigurisë, nga Armata e vendit, nga administrata shtetërore dhe administrata publike. Ky veprim është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe shkelje e vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, siç e garanton rendi juridik i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është alarmante. Numrat janë të frikshëm. Ky degradim dhe rrënim i vlerave kushtetuese ka marrë përmasa alarmante. Pas degradimit të gjeneralit të vetëm shqiptar që plotësonte të gjitha kushtet për të udhëhequr Shtabin e Përgjithshëm të Armatës, përjashtimi sistematik vazhdon në formën zyrtare dhe institucionale”, thuhet në reagimin e BDI-së.    

Nga aty, theksojnë se ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj frymës së Marrëveshjes së Ohrit, ndaj rendit kushtetues dhe karakterit multietnik të shtetit. 

Nga ana tjetër, nga zyra për informim e ministrisë, duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk, rreth konfirmimit të numrave të saktë dhe pasqyrimin e gjendjes faktike, theksuan se “Ministria e Mbrojtjes gjatë këtij viti ka shpallur 3 (tre) konkurse për punësim në përputhje me Ligjin për të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat u publikuan në dy gazeta ditore në gjuhën maqedonase dhe shqipe, si dhe në ueb faqen e Ministrisë së Mbrojtjes. Dy nga këto konkurse publike kanë përfunduar, ndërsa e treta është ende e hapur për aplikime”. 

Konkursi i parë publik 1/2025, ka qenë për punësimin e 26 personave. Për këto 26 vende, siç sqarojnë tutje nga ministria, kanë aplikuar 5 persona të përkatësisë etnike shqiptare, nga të cilët 1 (një) person i ka plotësuar dhe kaluar të gjitha fazat e përzgjedhjes dhe është punësuar.  

“Nga 4 personat e mbetur, 1 (një) kishte dokumentacion të parregullt, dhe 3 (tre) personat e tjerë nuk morën pikë të mjaftueshme në fazën e dytë – provim me shkrim dhe nuk vazhduan në fazën e tretë – intervistë. Konkursi i dytë publik 2/2025 ishte për punësimin e 6 (gjashtë) personave. Për këtë vend të lirë pune aplikuan 2 persona me përkatësi etnike shqiptare, njëri prej të cilëve kishte dokumentacion të paplotë, dhe personi i dytë, për shkak se nuk kishte pikë të mjaftueshme në fazën e dytë – provim me shkrim, nuk vazhdoi në fazën e tretë – intervistë. Deri më sot, janë punësuar 32 persona, nga të cilët, siç ju informojmë më sipër, njëri është me përkatësi etnike shqiptare”, thanë për Portalb nga zyra për informim e ministrisë.   

Nga Agjencia për Administratë janë publikuar konkurse për rekrutimin e 22 nëpunësve administrativë. Procedura për këto njoftime të publikuara po zhvillohet nga Agjencia dhe është ende në vazhdim. 

Kujtojmë se, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski pati paralajmëruar se gjatë vitit 2025 do të bëhet rekrutimi i 300 ushtarëve të rinj në Armatën e Maqedonisë së Veriut. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, është 20.450.820.000 denarë. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2024, i njëjti është rritur për 322.360.000 denarë.

Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 4 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s.