Vetëm një kompani në Maqedoni varet nga eksportet në SHBA

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Kocoska, nuk pret që brenda natës të ndodhin ndryshime të mëdha dhe efekte negative të drejtpërdrejta nga tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Maqedonisë së Veriut. Ajo shpreson se masa të tilla nuk do të kenë ndikim të madh në funksionimin e kompanive dhe as që do të çojnë në largimin e punëtorëve, transmeton Portalb.mk.

Sipas ministres, tregtia me SHBA-në është shumë e ulët, duke zënë më pak se 1% të të gjitha eksporteve dhe nuk do të ketë asnjë ndikim të drejtpërdrejtë.

“Është e pamundur të ketë efekte të drejtpërdrejta negative nga vendosja e tarifave amerikane në një kohë kaq të shkurtër. Edhe pse kanë rritur tarifat, nuk ka asnjë zëvendësim për vendet evropiane në SHBA që do të rrisin prodhimin brenda natës që të thonë se do të blejnë nga prodhuesit vendas. Le të tregojë koha, por të mos harrojmë se sektori privat në Evropë dhe vendet evropiane do të ketë bisedime dypalëshe me SHBA-në”, tha ministrja në konferencë për media.

Ministrja apeloi që mos të shpërndahet panik se do ketë largime nga puna. “Kjo nuk do të ndodhë. Ndërkohë pres që vendet evropiane të arrijnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Edhe nëse do të ketë më pak prodhim dhe më pak eksport nga ato vende në një afat të shkurtër, sigurisht që do të ketë një efekt, por nuk do të thotë se do të ketë pushime nga puna. Kemi problem vetëm në një situatë me një kompani që varet drejtpërdrejt nga eksportet në Shtetet e Bashkuara, dhe tani po zgjidhim këtë problem”, tha Dimitrieska Koçoska.

Ministrja njoftoi se shefi i diplomacisë, Timço Mucunski, është në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-në për problemin doganor dhe pritet një zgjidhje sa më shpejt.

“Ne jemi duke përgatitur ndryshime në Ligjin për tarifat doganore me të cilat mund t’i zvogëlojmë ato edhe në zero, sepse efekti nuk do të jetë aspak i madh, pasi të gjitha eksportet vitin e kaluar ishin pak mbi 100 milionë euro, që është shumë pak në krahasim me këmbimin me pjesën tjetër të botës. Çdo ndryshim në tarifat doganore nuk do të ketë asnjë ndikim në buxhet. Këtë mund t’ia ofrojmë SHBA-së në këtë moment”, tha Dimitrieska Koçoska.

Sipas ministres, një rrethanë rënduese është se nuk kemi marrëveshje për tregti të lirë me SHBA-në dhe shtoi se po punohet për të siguruar nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë. “Besoj se në fund Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do të arrijë të nënshkruajë një marrëveshje të tillë, e cila do të rezultojë me ndryshime në tarifat doganore. Nëse nuk e nënshkruajmë një marrëveshje të tillë, do të shohim se çfarë do të bëjmë më pas. Nga ana jonë, fillimisht do të ofrojmë ulje të tarifave doganore”, shtoi Dimitrieska Koçoska.

Kujtojmë se, presidenti amerikan Donald Trump ka prezantuar paketë të re tarifash, apo detyrimesh doganore, për pothuajse të gjitha vendet e botës në të ashtuquajturën… “Dita e Çlirimit”. Kjo de fakto i dha fund dekadave të politikës tregtare të SHBA-së, kështu që pavarësisht nga lidhjet diplomatike dhe partneriteti dhe bilancet tregtare me vendet, në rastin më të mirë, tarifat parashikojnë 10 për qind për vendet me të cilat SHBA ka një suficit tregtar dhe deri në 50 për qind për produktet nga vendet nga të cilat SHBA importon më shumë sesa eksporton.

Për vendet e Ballkanit, produktet nga Serbia (37%), Bosnja dhe Hercegovina (35%) dhe Maqedonia e Veriut (33%) morën tarifat më të larta, ndërsa Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria kishin të njëjtën normë – 10 për qind.