Versioni i ri i Teams është dukshëm më i shpejtë dhe konsumon më pak resurse sistemi

Microsoft filloi lançimin e një versioni të ri dhe të përmirësuar të klientit Microsoft Teams. Kompania ka rindërtuar aplikacionin nga e para për ta bërë më të shpejtë dhe më të lehtë për tu përdorur ndërsa ka qenë në fazë testimi që prej muajit Mars, njofton PCWorld.al.

Pas disa vitesh zhvillim, përdoruesit e Windows dhe Mac tashmë mund të instalojnë versionin e ri të Teams.

Ky version është deri në dy herë më i shpejtë duke përdorur 50 përqind më pak memorie sipas Microsoft. Është një lajm i mirë nisur nga fakti se aplikacioni është njohur për peshën e tij të rëndë në shfrytëzimin e resurseve kompjuterike sidomos tek kompjuterët e vjetër.

Instalimi i aplikacionit të ri Teams duhet të jetë një proces deri në 3 herë më i shpejtë ndërsa lançimi ose hyrja në një takim është 2 herë më i shpejtë. Aplikacioni zë 70 përqind më pak hapësirë në disk.

Të gjitha këto përmirësime performance vinë falë zëvendësimit të bazës së Teams në Electron me teknologjinë Edge WebView 2 të Microsoft. Kompania gjithashtu ka kaluar në librarinë React JavaScript për të përmirësuar dizajnin dhe ndërfaqen.

Së fundi versioni i ri i hap rrugë integrimit më të thellë me inteligjencën artificiale, konkretisht asistentin Microsoft Copilot. Përdoruesit mund ta shfrytëzojnë për të bërë përmbledhje takimesh apo të nxjerrin pika kryesore prej tyre.