Vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga seanca e 187-të

Qeveria e Maqedonisë në seancën e sotme vendosi që të ul çmimet e pemëve dhe perimeve, si një nga vendimet e seancës së 187-të, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria ka mundësuar tashmë 50 produkte në 24 kategori nga industria e bukës, qumështit, mishit, të ulen për të paktën 10% krahasuar me çmimin që kishin më 1 gusht. Uljet e çmimeve këtu pritet të jenë nga 10-40% për produkte të caktuara, të cilat tashmë mund t’i shohim në tregjet në tërë vendin”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, çmimet e tyre pritet të pësojnë zbritje deri 30 përqind. Në listën e artikujve që do të pësojnë ulje të çmimeve është edhe qumështi, kosi dhe çmimet e garantuara të ujit, pijeve joalkoolike dhe atyre të gazuara.

“Marzhi më i lartë tregtar për frutat dhe perimet për të gjitha shoqëritë tregtare dhe tregtarët që marrin pjesë në zinxhirin tregtar në tregtinë me shumicë përcaktohet në vlerë totale deri në 10%, ndërsa në tregtinë me pakicë përcaktohet në masën totale prej 15%. Me këtë presim që çmimi i frutave dhe perimeve të ulet për rreth 30%.
Para nesh janë vendimet për uljen e detyrimeve të importit për perimet e freskëta, orizin, portokallet, limonët, mandarinat, si dhe uljen e tarifave doganore për produktet e qumështit me përmbajtje yndyre mbi 10%. Dhe këto janë vendime që do të miratohen në ditët në vijim, do të shpallen dhe do të vihen në praktikë”, deklaroi Kovaçevski.

Në seancën e sotme u shqyrtua dhe u miratua Informacioni për marrjen e masave urgjente për rehabilitimin e trashëgimisë botërore kulturore e natyrore në rajonin e Ohrit. Qeveria miratoi përfundimet e nxjerra nga rekomandimet e UNESKO-s për mbrojtjen e rajonit të Ohrit.

“Ngarkohet Ministria për Transport dhe Lidhje, duke njoftuar Komunën e Ohrit, Strugës dhe Debarcës, në afate të saktësuara, secili në kuadër të përgjegjësive, të fillon largimin e ndërtimeve pa leje”, njoftoi Qeveria.

Në seancën e 187-të u vendos edhe shënimi i aktiviteteve në kuadër të “Javës së fëmijëve”, e cila do të realizohet nga 2 tetorit deri më 9 tetor. Qeveria njoftoi që në këtë periudhë do të realizohen aktivitete të ndryshme argëtuese, sportive, rekreative, kulturore, arsimore dhe ekologjike.