Vazhdimi i bulevardit ‘Ilinden’ nga qendra te stadiumi në pritje të planeve urbanistike, Kasami: Do ketë ndërtesa 10 katëshe
Nuk ka ende afat konkret se kur do të bëhet depërtimi i bulevardit ‘Ilinden’ në Tetovë nga Posta deri te Stadiumi i qytetit, pasi ende nuk kanë përfunduar planet urbanistike për tre blloqet urbane. Kryetari i komunës thotë se do të ndërtohen ndërtesa mbi 10 katëshe, me çka edhe pronarët e pronave do të kenë interes për depërtimin e bulevardit, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse procedurat për planet urbanistike për blloqet urbane në qendër të qytetit ku planifikohet të kalojë bulevardi ‘Ilinden’ filluan që në tetor 2023, deri tani nuk ka diçka konkrete në terren.
I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se janë në fazën përfundimtare të përpilimit të planeve urbanistike në tre blloqet urbane në të gjithë segmentin e bulevardit.
“Me çka do të lehtësojmë shpronësimet e pronave aty, sepse ajo ka qenë zona kryesore e qytetit e cila asnjëherë nuk ka pasur plan detal urbanistik, tani asaj zone i kemi dhënë zhvillim, mbi 10 kate ndërtesa të larta, me çka edhe pronarët e pronave do të kenë interes për depërtimin e bulevardit. Të gjitha ato ndërtesa që do të ndërtohen do të jenë të hyra për komunën, për shpronësimin dhe për realizimin e bulevardit”, tha Kasami.
Në mënyrë që të vazhdohet bulevardi “Ilinden” në Tetovë nga pjesa te Posta deri te Stadiumi i qytetit është e nevojshme të bëhen katër plane urbanistike nëpër të cilat kalon kjo rrugë, pasi kjo zonë nuk ka plane detale urbanistike.
Kjo do të bëhet me anë të donacionit nga kompania private “Zbukurimi”, donacion ky i cili u votua në tetor 2023 nga të gjithë 31 anëtarët e Këshillit Komunal të Tetovës nga përbërja e kaluar, ndërkaq në një bllok tjetër kompania donatore pritet të ndërtojë.
Sektori i Urbanizmit dhe Menaxhimit me Tokë Ndërtimore në Komunën e Tetovës pati sqaruar se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka arritur marrëveshje me kompaninë “Zbukurimi” nga Xhepçishti i Tetovës që do të jetë financuese e këtyre planeve dhe do të bëhet në formë të donacionit. Bëhet fjalë për planet detale të blloqeve urbane 15, 23, 41 dhe 42. Kjo mënyrë e donacionit u kritikua nga opozita e atëhershme.
Vazhdimi i bulevardit ‘Ilinden’ së bashku me dy bulevardet tjera, ‘Bllagoja Toska’ dhe ‘Industrial’ është edhe pjesë programit zgjedhor 2025/29 me të cilin Kasami garoi në zgjedhjet e fundit lokale. Të njëjtat ishin edhe në programin zgjedhor 2021-2025.