Ushtria izraelite tha se e ka rrethuar plotësisht Rafahun

Ushtria izraelite tha të shtunën se e ka kompletuar rrethimin e qytetit Rafah në Rripin e Gazës, në përpjekje për të marrë nën kontroll sa më shumë pjesë të enklavës palestineze, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Izraeli i ka urdhëruar vazhdimisht qindra mijëra palestinezë në Rafah që të largohen, prej se i rifilloi luftimet gjenocidale në Gazë më 18 mars, duke i detyruar ata të shpërngulen në një zonë gjithnjë e më të ngushtë, të kufizuar nga deti.

Më 2 prill, Izraeli njoftoi se ushtria e tij kishte filluar ta merrte nën kontroll një zonë që e quajti Aksi i Moragut që ndodhej mes qyteteve Rafah dhe Han Junis, në jug të Gazës.

Prej atëherë, qindra mijëra palestinezë janë detyruar të ikin nga Rafahu, një zonë prej 60 kilometrash katrorë që kufizohet me Egjiptin në jug.

“Gjatë 24 orëve të fundit, trupat e Divizionit të 36-të përfunduan krijimin e rrugës së Moragut, duke ndarë Rafahun dhe Han Junisin”, tha ushtria të shtunën.

Izraeli e nisi luftën gjenocidale në Gazë pas sulmit të Hamasit në jug të Izraeli më 7 tetor 2023 dhe prej atëherë, më shumë se 50.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite. Shumica e popullsisë është zhvendosur dhe pjesa më e madhe e Gazës është rrënuar.

Izraeli e rifilloi luftën makabre gjenocidale në Gazë në mars, pasi e braktisi armëpushimin që ishte në fuqi që nga janari. Sipas Izraelit, fushata do të vazhdojë derisa të lirohen 59 pengjet e mbetura dhe Hamasi të zhduket nga Gaza.

Hamasi ka thënë se do t’i lirojë pengjet vetëm në përputhje me një marrëveshje që do t’i japë fund luftës dhe nuk i ka pranuar kërkesat për t’i dorëzuar armët.