“UNIART” më 27 prill do t’i bashkojë të rinjtë e Tetovës në një festë arti dhe kreativiteti

Më 27 prill, me fillim nga ora 14:00, në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme të Komunës së Tetovës (UNSHMT) do të organizojë aktivitetin kulturor dhe artistik “UNIART”. Ky aktivitet synon të bashkojë të rinjtë përmes formave të ndryshme të shprehjes artistike, duke përfshirë muzikë, valle, recitime, interpretime artistike dhe ekspozita. Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor është promovimi i talentit, kreativitetit dhe frymës kulturore te nxënësit e shkollave të mesme, shkruan Portalb.mk.

Ardian Ramadani, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Komunës së Tetovës (UNSHMT), për Portalb.mk tha se “UNIART nuk është vetëm një aktivitet artistik, por një dëshmi se rinia jonë ka zë, ka ide dhe ka guximin t’i shprehë ato.

“UNIART” do të përfshijë një program të larmishëm artistik, me paraqitje në muzikë, valle, recitime, interpretime të ndryshme artistike, sfilatë, si dhe ekspozim të punimeve krijuese. Qëllimi ynë ka qenë që aktiviteti të mos mbetet i kufizuar në një format të vetëm, por të reflektojë sa më gjerë spektrin e shprehjes artistike te të rinjtë. Sa i përket interesimit, mund të them se ai ka qenë serioz dhe inkurajues. Kjo na ka konfirmuar diçka të rëndësishme: të rinjtë janë të gatshëm të angazhohen kur përballë tyre vendoset një nismë që ka përmbajtje, kuptim dhe dinjitet. Interesimi nuk duhet parë vetëm si numër pjesëmarrësish, por si tregues i nevojës reale që ekziston për më shumë hapësira të tilla në jetën rinore”, tha Ramadani.

Ramadani tha se përmes ‘UNIART’ kanë dashur të krijojnë një hapësirë ku të rinjtë të shprehen lirshëm dhe me dinjitet përmes artit, qoftë në muzikë, valle, recitim, sfilatë apo forma të tjera krijuese.

“UNIART” do të përfshijë një program të larmishëm artistik, me paraqitje në muzikë, valle, recitime, interpretime të ndryshme artistike, sfilatë, si dhe ekspozim të punimeve krijuese. Pjesëmarrësit do të jenë kryesisht nxënës të shkollave të mesme, të cilët do të kontribuojnë sipas prirjeve dhe formave të tyre të shprehjes. Kjo është edhe thelbi i aktivitetit: t’u japë mundësi të rinjve të paraqiten me atë që dinë të bëjnë më mirë, në një ambient që i respekton dhe i vlerëson”, tha Ramadani.

Ai shtoi se synimi i tyre është që kjo iniciativë të rritet dhe të kthehet në një traditë që e afirmon rininë e Tetovës në mënyrën më dinjitoze.

Aktivitete të tilla, sipas tij, kanë peshë të veçantë, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e të rinjve jo vetëm si nxënës, por edhe si qytetarë me vetëdije, ndjeshmëri dhe identitet krijues.

“Ato i ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë vetëbesim, të mësojnë të bashkëpunojnë, të marrin përgjegjësi dhe të kuptojnë se kontributi i tyre mund të ketë vend dhe vlerë në hapësirën publike. Për një qytet si Tetova, ku ka energji, talent dhe potencial rinor, por ku nevoja për më shumë platforma kulturore mbetet e dukshme, veprimtari si “UNIART” janë nevojë. Për edicionet e ardhshme synimi ynë është zgjerimi i përmbajtjes artistike, rritja e përfshirjes së të rinjve nga sa më shumë shkolla, forcimi i dimensionit bashkëpunues me institucione dhe partnerë, si dhe konsolidimi i “UNIART” si një pikë referimi për kulturën rinore në Tetovë”, tha Ramadani.