Nesër do të hapet Panairi i Librit në Shkup, 65 shtëpi botuese pritet të sjellin laramani titujsh dhe autorësh
Nga 23 deri më 29 prill 2026, Shkupi do të jetë qendra e botës së librit, duke mbledhur rreth 65 shtëpi botuese nga vendi dhe jashtë. Edhe këtë vit, panairi pritet të sjellë tituj të rinj, autorë, takime profesionale dhe përmbajtje të larmishme për të gjithë adhuruesit e librit, shkruan Portalb.mk.
Hapja e një libri të ri është si hapja e një dritareje drejt një bote të panjohur, por të dëshiruar. Një botë që lexuesi e zgjedh vetë, me kureshtje, emocion dhe etje për ta zbuluar deri në faqen e fundit. Çdo libër sjell një udhëtim të ri, personazhe që lënë gjurmë, rrëfime që prekin shpirtin dhe përvoja përmes të cilave njeriu arrin të kuptojë më mirë edhe vetveten.
Pikërisht këtë magji të leximit synon ta sjellë këtë vit edhe Panairi i Librit në Shkup, i cili nis nesër në arenën “Boris Trajkovski”, nën moton “Hap një dritare drejt botëve të reja”. Një slogan që mishëron fuqinë e librit për të zgjeruar horizontet, për të zgjuar imagjinatën dhe për ta ftuar lexuesin të zhyten në universin e fjalës së shkruar.

Organizatorët bëjnë të ditur se panairi do të ketë edhe pjesëmarrës ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues nga Britania e Madhe, Greqia dhe rajoni, si dhe një sërë aktivitetesh profesionale dhe panele diskutimi.
Në një kohë kur përditshmëria shpesh na largon nga leximi, Panairi i Librit mbetet një mundësi e veçantë për t’u rikthyer te libri, te fjala dhe te bota e pasur që ajo hap për secilin prej nesh. Për shtatë ditë me radhë, adhuruesit e librit do të kenë mundësi të takohen me botime të reja, autorë e shtëpi botuese, duke e kthyer Shkupin në qendrën më të rëndësishme të kulturës dhe leximit në vend.