U shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt, raporton RTK.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 396,787 vota, apo 42.30 për qind; Partia Demokratike e Kosovës, 196,474 vota, apo 20.95 për qind; Lidhja Demokratike e Kosovës, 171,357 vota, apo 18.27 për qind; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 66,256 vota, apo 7.06 për qind.
Në hyrje të kësaj mbledhje, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se institucioni që ai drejton ka zbatuar Ligjin e ri për Zgjedhje të Përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në verën e vitit 2023, nga i cili tha se i janë shtuar përgjegjësitë ligjore të KQZ-së, që përfshijnë procesin zgjedhor brenda dhe jashtë vendit.
Me 10 vota për është miratuar rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ndërkohë, kryetari i Radoniqi, i njoftoi të gjitha subjektet politike dhe kandidatët për deputet se ndaj këtij rezultati mund të parashtrojnë ankesë në afat prej 48 orësh, afat që nis të rrjedhë nga sot në ora 17:00.
Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 ulëse në legjislaturën e re të dalë nga këto zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse në parlament, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë e përfaqësuar me 20 deputetë, Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë 8 deputetë, Kosova Demokratik Turk Partisi me 2 deputetë, ndërsa 9 parti të tjera të komuniteteve jo serbe do të jenë të përfaqësuara me nga 1 deputet.