U nënshkrua Kontratë e re kolektive, rritje pagash prej 20% për punonjësit e mbrojtjes sociale në RMV
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, nga njëra anë, dhe Sindikata e Punonjësve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave Qytetare të Republikës së Maqedonisë (SAOGjShQ), e përfaqësuar nga Kryetari Trpe Deanoski, si dhe Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SPAShK), e përfaqësuar nga Kryetari Jakim Nedelkov, nga ana tjetër, sot zyrtarisht e nënshkruan Kontratën Kolektive për punonjësit e institucioneve publike për mbrojtje sociale që nënkupton rritje pagash prej 20%, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë Kontratë Kolektive mundësohet rritje pagash prej 20% për të gjithë punonjësit, përfshirë edhe drejtorët e institucioneve publike të mbrojtjes sociale, gjë që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të statusit të tyre material dhe motivimit për kryerjen profesionale të detyrave të përgjegjshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Përveç përfitimeve financiare, Kontrata i avancon edhe të drejtat e marrëdhënies së punës, i përforcon mekanizmat e mbrojtjes së punonjësve dhe e thellon dialogun social ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave.
“Kjo është mirënjohje për punën, për përkushtimin dhe për misionin human të të gjithë punonjësve në sistemin e mbrojtjes sociale. Besoj se me kushte më të mira pune, do të ofrojmë edhe shërbime më të mira për qytetarët”, theksoi ministri Limani pas nënshkrimit të Kontratës Kolektive.
Kujtojmë se takimi i realizuar në fund të korrikut mes Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve ku diskutuan pagën minimale dhe shportën e re qeveritare të konsumatorit, përfundoi pa një marrëveshje konkrete. Duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale po afrohen, sipas LSM-së, është gjithnjë e më e sigurt se punëtorët në vend do të mbeten me pagën minimale më të ulët nga të gjitha vendet në rajon.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkon pagë minimale prej 500 eurosh dhe rritje prej 6,000 denarësh në pagat e tjera, duke shpjeguar se paga minimale në vend është më e ulëta në rajon. Qëndrimi i Qeverisë është se parametra të tjerë duhet të merren parasysh për të rritur pagën minimale dhe se inflacioni nuk duhet të lejohet të rritet.