U lirua nga burgu gazetarja e REL-it Kurmasheva, në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit

Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë, ishte dënuar nga një gjykatë ruse në korrik me gjashtë vjet e gjysmë burgim, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Mirëpresim lajmin për lirimin e menjëhershëm dhe i jemi mirënjohës Qeverisë amerikane dhe të gjithë atyre që punuan pa ndalur për përfundimin e trajtimit të padrejtë të saj nga Rusia”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Capus.

“Alsuja u shënjestrua sepse është gazetare amerikane, e cila thjesht po tentonte të ndihmonte pjesëtarët e familjes së saj që janë brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë gabim dhe sigurisht nuk e meritoi trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga më të dashurit e saj dhe kolegët”, shtoi ai.

Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera më 1 gusht kanë nisur një këmbim masiv të të burgosurve, në atë që pritet të jetë këmbimi më i madh i këtij lloji që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Bloomberg, Sky News, CNN, dhe media të tjera perëndimore, duke cituar burime, raportuan se këmbimi po ndodh më 1 gusht, pasi nuk dihej vendndodhja e disa të burgosurve politikë të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, duke nxitur spekulime se ata po bëheshin gati për këmbim.

Ende nuk është e qartë se kush nga të burgosurit është përfshirë në këmbim.

Ky lajm u bë i ditur pasi nëntë aktivistë rusë dhe një shtetas amerikan janë zhvendosur papritur nga burgjet ruse ditët e fundit, si dhe rusë të tjerë të mbajtur në burgjet e SHBA-së janë zhdukur nga bazat e të dhënave të burgjeve, duke nxitur spekulimet se një këmbim i madh i të burgosurve që përfshin Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera evropiane, mund të jenë në zhvillim e sipër.