U arrestua Federica Mogherini, dyshohet për mashtrim me fondet e BE-së
Ish përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini raportohet se është ndaluar nga forcat e rendit të Belgjikës, në kuadër të disa hetimeve të kryera nga Prokuroria Evropiane në Bruksel mbi një mashtrim të dyshuar që lidhet me programet e trajnimit të financuara nga BE për diplomatët e rinj. Lajmin fillimisht e ka raportuar gazeta belge Le Soir.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian njoftoi se të martën u kryen kontrolle në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian në Bruksel (EEAS) dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges, në kuadër të një hetimi mbi mashtrime të mundshme në përdorimin e fondeve të BE-së.
Në total, tre persona janë arrestuar, u bë e ditur në njoftim.
Njëri prej tyre raportohet se Federica Mogherini. Ish-nënkryetarja e Komisionit Evropian është aktualisht në paraburgim policor, sipas Le Soir.
Ngjarjet e dyshuara datojnë që nga periudha 2021-2022, dhe përfshijnë veprat penale: “mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional”, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian.
Në fokus është projekti për Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian – një program trajnimi nëntëmujor për diplomatët e rinj në të gjitha Shtetet Anëtare – i cili iu dha nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm Kolegjit të Evropës në Belgjikë, në periudhën 2021 – 2022, pas një procedure tenderimi.
Përpara këtij operacioni policor, Zyra e Prokurorit Publik Evropian kishte kërkuar heqjen e imunitetit që gëzonin disa të dyshuar, gjë që raportohet se u miratua.