Trump tha se ka ndërprerë të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të enjten vonë se të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë janë ndërprerë përfundimisht, shkaku i asaj që ai e quajti reklamë mashtruese, në të cilën ish-presidenti i ndjerë, Ronald Reagan, fliste negativisht për tarifat, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Trump vendosi tarifa ndaj çelikut, aluminit dhe automjeteve kanadeze në fillim të këtij vitit, duke bërë që Otava të përgjigjej me masa të ngjashme.
SHBA-ja dhe Kanadaja kanë qenë duke biseduar tash e disa javë për një marrëveshje të mundshme në sektorët e çelikut dhe aluminit.
“Bazuar në sjelljen e tyre skandaloze, të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë janë ndërprerë”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.
Doug Ford, kryeministër i provincës kanadeze Ontarios, tha në fillim të kësaj jave se reklama nga provinca e tij me mesazhe kundër tarifave e kishte tërhequr vëmendjen Trumpit.
Reklama e shfaq Reaganin, i cili ishte republikan, duke i kritikuar tarifat ndaj mallrave të huaja dhe duke thënë se ato çojnë në humbjen e vendeve të punës dhe në luftëra tregtare.
“Kam dëgjuar se presidenti e pa reklamën tonë. Jam i sigurt se nuk ishte shumë i kënaqur”, tha Ford të martën.
Fondacioni Presidencial Ronald Reagan tha në një komunikatë të enjten vonë se reklama nga Qeveria e Ontarios po “përdor audio dhe video të përzgjedhura” të Reaganit dhe se fondacioni po shqyrton opsionet ligjore.
“Reklama e shtrembëron fjalimin presidencial të Ronald Reaganit në radio [të vitit 1987], dhe Qeveria e Ontarios nuk ka kërkuar as marrë leje për ta përdorur apo redaktuar atë material”, thuhet në deklaratë.
Qeveria e Kanadasë nuk ka folur ende lidhur me vendimin e Trumpit.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney u tha gazetarëve të enjten se Kanadaja nuk do të lejojë që SHBA-ja të ketë qasje të padrejtë në tregjet e saj, nëse dështojnë bisedimet për marrëveshjet e ndryshme tregtare me Uashingtonin.
Vitin e ardhshëm, SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika pritet ta rishikojnë marrëveshjen e tyre nga viti 2020 për tregti të lirë kontinentale.