Trençevska: Tri vajza këtë vit ishin viktima të shfrytëzimit seksual

Në vitin 2022 janë identifikuar nëntë viktima të trafikimit me qenie njerëzore, nga të cilat tetë janë femra dhe një mashkull, ndërsa numri më i madh i tyre janë fëmijë të moshës 14 deri në 17 vjeç, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, transmeton MIA.

Duke folur në konferencën e sotme rajonale kushtuar parandalimit dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ministrja theksoi se shumica e rasteve janë evidentuar si martesë e detyruar, ku janë gjashtë persona, ndërsa në dy raste ka qenë shfrytëzim seksual, njëri prej të cilëve ka qenë përmes internetit.

Gjatë këtij viti, siç informon Trençevska, viktima të shfrytëzimit seksual kanë qenë tri vajza.

Viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, sipas ministres, duhet të kenë mbrojtje dhe ndihmë më të mirë, për të cilat, siç tha ajo, ka më shumë shërbime për mbështetje, rregullim të gjendjes së tyre dhe ndihmë për shërimin e tyre.

Qendra për Viktimat e Trafikimit me Qenie Njerëzore po funksionon në mënyrë adekuate me kapacitet të plotë për t’u kujdesur për gjashtë persona, tha ajo.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale bëri thirrje për veprim të përbashkët të vendeve të rajonit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, pasi është një krim i organizuar transnacional.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe kërcënim për liritë dhe sigurinë e çdo shoqërie. Vendi ynë dhe vendet e rajonit shpesh luajnë një rol në secilën nga fazat e trafikimit të qenieve njerëzore, si vend origjine, tranziti apo destinacioni. Dua të shpreh përshëndetjet e mia të sinqerta për vendet e rajonit, për të theksuar nevojën për veprim të përbashkët dhe të bashkuar kundër trafikimit të qenieve njerëzore, i cili është krim i organizuar transnacional. Nevojitet aksion i përbashkët në të cilin do të fokusohemi në luftën kundër një prej realiteteve më të errëta në botë sot, në të cilin janë ngujuar një numër i madh i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave”, tha Trençevska.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, shtoi ajo, ka rritur mbështetjen financiare për Qendrën për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe financon plotësisht shërbimin e ofruar nga shoqata “Porta e hapur”. Për shkak të traumave të thella të pësuara, sipas Trençevskës, puna për rehabilitimin e viktimave nuk mund të jetë një program i shkurtër, por kërkon investim afatgjatë për të ofruar ndihmë, mbështetje, trajtim të nevojshëm që viktimat të fillojnë një jetë normale, produktive dhe autonome.

Ai investim, shton Trençevska, duhet të përfshijë zgjerim të konsiderueshëm të objekteve akomoduese, kthim të sigurt të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore në një jetë normale. Si një komponent kyç, ajo vuri në dukje parandalimin e riviktimizimit të tyre, i cili kërkon një reagim të koordinuar të aktorëve shtetërorë, agjencive ligjzbatuese dhe organizatave të shoqërisë civile të vendeve të prekura, si dhe bashkëpunimin e instancave ndërkombëtare.

“Gjatë kësaj periudhe po punohet për rishikimin e procedurave standarde operative për trajtimin e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore me qëllim të një qasjeje të unifikuar për të gjithë aktorët e përfshirë nga identifikimi deri te riintegrimi dhe kthimi i viktimave në një mjedis të sigurt. Që çdo gjë të funksionojë, duhet të ketë profesionistë të ndjeshëm dhe të arsimuar, të cilët do të punojnë me përkushtim për problemin. Prandaj, vëmendje i është kushtuar ngritjes së kapaciteteve të punonjësve socialë dhe inspektorëve të punës të cilët janë përfshirë në një numër të madh trajnimesh dhe në këtë periudhë është përfshirë edhe sektori i shëndetësisë. Mund të themi se puna për parandalimin dhe mbrojtjen e trafikimit të qenieve njerëzore duhet të jetë prioriteti ynë”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale.

Zbulimi në kohë i mundësisë se një person mund të përfshihet në trafikim me qenie njerëzore është bazë për intervenim të hershëm për të parandaluar shfrytëzimin dhe për të ofruar mbështetje me kohë, theksoi Trençevska.

Sipas ministres, është bërë përparim i rëndësishëm në identifikimin dhe adresimin e shumë faktorëve socialë, ekonomikë, kulturorë dhe politikë që i bëjnë njerëzit vulnerabël ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Trençevska shtoi se është bërë përparim edhe në formulimin e politikave dhe programeve gjithëpërfshirëse dhe në zhvillimin e fushatave edukative për ngritjen e vetëdijes.

“Kemi krijuar pesë ekipe mobile në Shkup, Manastir, Kumanovë, Gjevgjeli dhe Tetovë për identifikimin e kategorive të rrezikuara të qytetarëve, përfshirë viktimat e trafikimit me qenie njerëzore. Përbërja e ekipeve të lëvizshme përfshin përfaqësues të qendrave të punës sociale, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Njësisë Kombëtare për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe përfaqësues të shoqatave të qytetarëve. Gjatë punës së tyre, këto ekipe arritën rezultate të jashtëzakonshme dhe njihen si shembull i mirë jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon”, tha Trençevska.