Tre të vrarë nga të shtënat në një shkollë në Bosnje e Hercegovinë

Tre persona u vranë të mërkurën nga të shtënat në ambientet e gjimnazit në Sanski Most, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sulmuesi tentoi të kryente vetëvrasje dhe u plagos rëndë.

Ai qëlloi me armë automatike në drejtim të tre punonjësve të shkollës, duke vrarë drejtorin, sekretaren dhe një profesoreshë të gjuhës angleze, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Adnan Beganoviq, zëdhënës i policisë së kantonit Una-Sana.

Autori i dyshuar i vrasjeve është V.M., 68 vjeç, punonjës i qendrës së shkollës së mesme në Sanski Most.

“Hetimet janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk dihen motivet dhe rrethanat e këtij sulmi”, tha Beganoviq.

Sipas policisë, sulmuesi u transferua në Qendrën Klinike Universitare në Banja Llukë.

Nga ky spital i thanë Radios Evropa e Lirë se pacienti u soll me një plagë në gjoks, të shkaktuar nga arma e zjarrit.

“Pacienti është i vetëdijshëm. Aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat diagnostike dhe është planifikuar një operacion”, thuhet në deklaratë.