Tre të mitura në Çair sulmuan një 11 vjeçare dhe e filmuan, Policia do të ngrejë kallëzime penale

SPB Shkup informon se ka zgjidhur rastin e sulmit ndaj vajzës nga Çairi, të kryer nga të mitura, të cilat e kanë filmuar ngjarjen dhe e kanë publikuar në rrjetet sociale, transmeton Portalb.mk.

“Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga policët e NJPB Qendër dhe Bit Pazar, është vërtetuar se më 20.06.2025 rreth orës 14:00 në rrugën “Pavle Iliç” në Shkup, pranë një objekti hotelerik, një vajzë 11-vjeçare është sulmuar fizikisht nga tre vajza, dhe një vajzë e ka filmuar sulmin me telefon celular”, njofton MPB.

Këto ditë, videoja e sulmit është publikuar në rrjetet sociale dhe në një portal, ndërsa ngjarja më 01.09.2025 është raportuar në stacionin policor edhe nga babai i vajzës së sulmuar, i cili tha se për ngjarjen ka mësuar nga rrjetet sociale, ndërsa vajza e tij nuk i ka treguar asgjë nga frika se mos sulmohet përsëri.

MPB shton se të miturat dhe prindërit e tyre janë thirrur në stacionin e policisë dhe pas dokumentimit të rastit, do të ngrihen kallëzime përkatëse në lidhje me veprat penale të “dhunës” dhe “xhirimit pa leje”.