Tre aksidente ajrore për një ditë, një avion i ‘Air Canada’ merr flakë gjatë uljes së ashpër

Mëngjesin e sotëm kanë ndodhur tre aksidente ajrore në Korenë e Jugut, Kanada dhe Norvegji. Aksidenti më i rëndë ishte në Korenë e Jugut, ku besohet se kanë humbur jetën 179 pasagjerë prej gjithsej 181 personave në avion. Dy aksidentet tjera ishin pa viktima, transmeton Portalb.mk.

Aksidenti i dytë ishte në  Norvegji, ku një avion i kompanisë ajrore holandeze “KLM” ka bërë një ulje të detyruar në Norvegji pasi ka pasur një problem me motorin gjatë fluturimit. Sipas policisë norvegjeze, në incident nuk ka pasur pasagjerë të lënduar.

Në një njoftim thuhet se “Boeing 737”, i cili fluturonte nga Oslo drejt Amsterdamit, bëri ulje të detyruar mbrëmjen e kaluar në jug të Norvegjisë për shkak të një defekti që u shfaq pak pas ngritjes.

Ndërkohë., një fluturim i kompanisë ajrore ‘Air Canada’ është detyruar të bëjë ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar Halifax Stanfield pasi u përball me një keqfunksionim të pajisjes së uljes së aeroplanit.
Siç transmeton Anadolu, fluturimi 2259 i ‘Air Canada’, që u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shën Gjonit, përjetoi probleme në ulje në orën 09:30 me kohën lokale, që shkaktoi një rrëshqitje dhe zjarr tek motori, duke nxitur një reagim të shpejtë nga ekuipazhet e urgjencës për të garantuar sigurinë e të gjithëve në bord.

Nikki Valentine, një pasagjere e fluturimit, tha për ‘CBC News’ se një nga gomat e aeroplanit nuk u pozicionua në mënyrën e duhur gjatë uljes.
“Aeroplani filloi të ulet në një kënd rreth 20 gradë në të majtë dhe ne dëgjuam një zhurmë mjaft të fortë, që pothuajse dukej si një zhurmë përplasjeje, derisa krahu i aeroplanit filloi të rrëshqasë përgjatë pistës, së bashku me atë që unë supozoj se ishte motori”, tha Valentine.

Pas uljes, pasagjerët në bord u evakuuan dhe më pas u dërguan në një hangar për t’u kontrolluar nga mjekët.

Si masë paraprake, fluturimet në aeroportin Halifax u pezulluan përkohësisht pas incidentit, ndërsa në orët e para të ditës së sotme një pistë është hapur.

Nga incidenti, nuk është raportuar për viktima.