Thyerja e barrierave përmes diplomacisë

Mjedisi i sigurisë ndërkombëtare i ndryshuar nga luftërat në Lindjen e Mesme, Evropën Lindore dhe nga vazhdimi i paqëndrueshmërisë në pjesë të tjera të botës, ka pasur ndikim të tërthortë, veçanërisht në shtetet me diversitet etnik dhe fetar, ku historia dhe konfliktet e kaluara luajnë rol vendimtar për të ardhmen e njerëzve dhe shteteve. Në veçanti, bëhet fjalë për Ballkanin, ku aktorë të huaj në zhvillim si Rusia dhe Kina dhe aktorë të tjerë rajonalë janë të interesuar të shfrytëzojnë çështjet e hapura ndërmjet shteteve për interesat e tyre afatgjate.

Më parë kemi theksuar çështjen Kosovë-Serbi dhe përpjekjet separatiste të zyrtarëve në Bosnjën serbe, si pika nevralgjike, por tani duket se pa asnjë arsye Shkupi zyrtar do të rëndojë gjendjen me Bullgarinë dhe Greqinë, duke synuar të rihapë marrëveshjet e vjetra. Shkupi zyrtar i është përgjigjur kritikave të Athinës në Samitin e Këshillit të Evropës. Megjithatë, as Bullgaria nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me Propozimin francez që Maqedonia e Veriut dëshiron ta diskutojë përsëri.

Siç e kemi analizuar në artikujt tonë të mëhershëm, hapat e panevojshëm që po ndërmerr qeveria e re e Maqedonisë së Veriut janë jorealiste. Për sa u përket çështjeve rajonale të ngritura tani në një kohë të vështirë turbulente në BE, Ukrainë dhe natyrisht në Lindjen e Mesme, për Maqedoninë e Veriut një shtet pa zë në politikën ndërkombëtare do të jetë e vështirë të gjejë miq për kërkesat e reja.

Duke u bazuar në veprime që i takojnë fushatës zgjedhore, çështjet që po hapen tani pa nevojë, mund të çojnë në rritjen e nacionalizmit dhe rënien ekonomike. Ky ka qenë një shqetësim për një kohë të gjatë, veçanërisht tani kur linjat e ashpra politike janë vulosur në parlamentin e BE-së, dhe kur nuk kemi një zgjerim të qartë drejt Ballkanit. Me vazhdimin e mbajtjes së çështjeve të hapura për një kohë të gjatë në diskutimet publike dhe marrëdhëniet me jashtë, askush nga shtetet aspirante nuk fiton gjë. Mund të përfitojnë vetëm ato forca që i shohin të nxehta çështjet historike si ushqim për të gjithë të interesuarit që shpresojnë ngritjen e një bote të ftohtë të ndarë në blloqe.

Nga një anë, kur i vështrojmë problemet që vazhdojnë të mbeten aktive në kokën e zyrtarëve dhe politikanëve, priremi të mendojmë se ato mund të zgjidhen lehtësisht, por në realitet, sa kohë qëndrojnë të hapura, zgjidhjet bëhen më të vështira, përshkak se vetë çështjet janë të tilla për nga natyra. Prandaj në ato raste duhet vullnet dhe guxim për t’u përballur. Duhet një disiplinë e re, diplomaci në veprim dhe larg përdorimit të fjalorit të ashpër ndaj fqinjve.

Diplomacia e re që duhet të zhvillohet nga qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, duhet të marrë në konsideratë disa përvoja nga vendet e tjera, sepse kjo është shumë e rëndësishme për qeveritë e shteteve të Ballkanit kur komunikojnë me qeveritë që nuk kanë marrëdhënie të mira. Përsëri rasti shkon në Shkup, ku vendet fqinje janë në fazën për të ndryshuar qëndrimet ndaj Maqedonisë së Veriut. Prandaj, është shumë e rëndësishme të ndryshohen seriozisht veprimet kundër kombeve të tjera.

Shqetësimet e fundit nga Maqedonia e Veriut, tregojnë se diplomacia dhe politika e jashtme janë në një fazë konfuze, pavarësisht nga vizitat e ministrit të Jashtëm maqedonas në BE dhe NATO, dhe takimet me zyrtarë amerikanë në Shkup. Pasi diplomacia në veprim duhet të ndikojë në vendimet dhe sjelljen e qeverive, atëherë përmes respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të gjitha çështjet e hapura mund të zgjidhen. Gjithmonë duhet të kërkojmë zgjidhje dhe opsione të mundshme që i bëjnë problemet e ndërlikuara me tipare të identitetit të duken sa më të lehta për opinionin publik.

Edhe një herë si këshillë e fundit, nuk ka nevojë të hapen kutitë e vjetra të zjarreve që Ballkanin e kanë bërë të kthehet prapa me dekada. Është koha për të kapur shpejtësinë e BE-së, pavarësisht nga uljet dhe ngritjet e unionit. Nëse nuk bëhet tani, atëherë nuk do të ketë stabilitet, dhe as ndihmë dhe para nga BE-ja. Duhet të punohet shumë për të bërë ndryshimet e kërkuara për të hyrë në BE. Diplomacia mund ta bëjë këtë duke motivuar njerëzit dhe zyrtarët për ta bërë këtë. Përndryshe, kaosi dhe trazirat do të mbizotërojnë në të ardhmen në shtetet pa rregull dhe ligj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.