Tetovë, i morën votat kurse afishet ‘harruan’ t’i heqin, heshtin partitë

Afishet propagandistike të partive politike ende nuk janë larguar në Tetovë pavarësisht se kanë kaluar gati tre javë që nga mbajtja e zgjedhjeve të dyfishta në Maqedoninë e Veriut. Partitë edhe pse obligohen ta bëjnë të njëjtën, deri më tani nuk e kanë bërë. Kanë afat edhe 12 ditë, ndërkaq heshtin se pse nuk i kanë larguar, shkruan Portalb.mk.

Nëpër billbordet e Tetovës ende janë të ngjitura fytyrat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, ka edhe shumë postera të tjerë gjithandej.

Pavarësisht se zgjedhjet mbaruan, partitë ende nuk i kanë larguar afishet, të cilat obligohen t’i largojnë.

Kodi Zgjedhor në nenin 79 parashikon që “pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore ka për detyrë që në afat prej 30 ditësh pas përfundimit të zgjedhjeve, ta mënjanojë mbeturinën nga afishet”.

Që nga mbajtja e zgjedhjeve kanë kaluar 19 ditë, ndërkaq partitë kanë afat që t’i largojnë afishet deri me 7 qershor apo edhe 12 ditë.

Portalb.mk pyeti përfaqësuesit nga Tetova të partive: VMRO, LSDM, Frontit Evropian dhe VLEN se pse nuk i kanë larguar ende materialet propagandistike dhe kur planifikojnë ta bëjnë të njëjtën, por pa përgjigje.

Nga Fronti Evropian dhe VLEN na thanë se “i kanë dorëzuar pyetjet te personat kompetent”, por pa përgjigje.

Nëse partitë pjesëmarrëse në zgjedhje nuk i largojnë mbetjet deri në afatin e paraparë me Kodin Zgjedhor, ata mund të dënohen.

Konkretisht, neni 185 i Kodit Zgjedhor parasheh që “gjobë në shumë prej 2.500 euro në kundërvlerë me denarin do t’i shqiptohet partisë politike, koalicionit përkatësisht kandidatit të pavarur të regjistruar nëse në afatin e përcaktuar në nenin 79 paragrafi (2) i këtij kodi nuk e mënjanojnë mbetjen nga afishet”

Ndërsa i njëjti nen në paragrafin e dytë parasheh që “gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përllogaritur për partinë politike, koalicionin përkatësisht kandidatin e pavarur do t’i shqiptohet personit të autorizuar të partisë politike, koalicionit përkatësisht kandidatit të pavarur për kundërvajtjen nga paragrafi (1) i këtij neni”.

Përndryshe, përveç se në Tetovë, afishet nuk janë larguar edhe në Shkup, Kumanovë si dhe nëpër qytete të tjera.

Kujtojmë që zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Rivotim në shtatë vendvotime në zonën 5 dhe 6 pati me 22 maj.