Tërmetet e djeshme në Greqi janë ndjerë në disa qytete të Maqedonisë së Veriut
Observatori sizmologjik pranë Fakultetit Shkencë-Matematikor në Shkup njoftoi se pasditen e djeshme në territorin e Maqedonisë janë ndjerë dy nga seritë e regjistruara të tërmeteve me epiqendër në Greqi, transmeton Portalb.mk.
“Sipas të dhënave të deritanishme që disponon observatori, tërmeti i orës 18:03 me magnitudë lokale të Rihterit ML5.1 është ndjerë nga popullata në Gjevgjeli dhe Strumicë me intensitet III-IV gradë sipas shkallës makrosizmike evropiane, dhe në Veles dhe Shkup me intensitet III gradë sipas të njëjtës shkallë, kurse tërmeti i orës 18:06 me magnitudë lokale të Rihterit ML3.8 është ndjerë nga popullata e Gjevgjelisë, Strumicës, Manastirit dhe Kavadarit me intensitet III gradë sipas shkalla makrosizmike evropiane”, thuhet në njoftim.
Tërmeti më i fortë pasditen e djeshme ka qenë afër Nea Moudania të Halkidikit. Tërmeti është ndjerë edhe në Bullgarinë fqinje.