Teatri Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Art” u prezantua mbrëmë në natën e dytë të Festivalit të Teatrit të Tetovës

Në mbrëmjen e djeshme, në suaza të Festivalit të Teatrit të Tetovës, skena u kthye në një fushë beteje të heshtur por të ngarkuar emocionalisht, ku një pikturë tërësisht e bardhë vuri në lëvizje tensionet më të thella mes tre miqve të vjetër. Nën regjinë e Bashkim Ramadanit, komedia “Art” e dramaturges franceze Yasmina Reza, vepër e shkruar në vitin 1994, solli përpara publikut një rrëfim ironik për artin, vlerat personale dhe krisjet e padukshme të një shoqërie të vjetër, shkruan Portalb.mk.

Në qendër të shfaqjes janë tre personazhe, Sergjio (Ylber Bardhi), një pasionant i artit modern që blen një pikturë minimaliste në vlerë prej 200 mijë euro, një pëlhurë madhe, e bardhë me disa vija paksa më të zbehta, Mark (Ard Islami), mik i vjetër që reagon me tallje e zemërim ndaj këtij veprimi dhe Ivan (Butrint Lumi), që përpiqet të ruajë baraspeshën mes dy miqve, duke u kthyer në viktimë të përpjekjes për pajtim.

Piktura, një simbol i zbrazët, apo edhe ‘personazhi i katërt’ i kësaj shfaqje bëhet shkaku për të shpalosur shumë më tepër se debatet rreth artit. Përplasjet e Serxhios dhe Markut zbulojnë çarje më të thella, sfidat e identitetit, mendimet negative për njëri-tjetrin, mungesën e mirëkuptimit dhe ego që dalin në pah nën maskën e humorit e talljes, por edhe të përplasjes. Ivan, ndërkohë, i lëkundur mes palëve, është një pasqyrë e njeriut të zakonshëm që përpiqet t’i shmangë konfliktet, por që përfundon duke u zhytur në to edhe më thellë, ose mbase, ai që e pëson më së shumti.

Gjatë shfaqjes, publiku pati mundësinë të ndjekë një larmi formash shprehëse, nga dialogjet e ngarkuara emocionalisht mes dy personazheve, te monologët e sinqertë ku aktorët i drejtohen drejtpërdrejt publikut, e deri te diskutimet e përbashkëta mes tre shokëve. Çdo moment dramatik apo komik kishte zanafillën te piktura, një objekt i vetëm por që shërbeu si nxitës i përplasjeve të mendimeve dhe të marrëdhënieve të tyre.

Festivali do të vazhdojë deri më 6 tetor, ku do të ketë shfaqje të teatrove nga Presheva, Gjilani, Gostivari dhe Tetova.

Kush dëshiron të mbështesë Teatrin, mund ta bëjë duke blerë biletën prej 200 denarësh, ndërsa për ata që duan vetëm të ndjekin shfaqjet, hyrja mbetet falas.

Të gjithë të interesuarit biletat mund t’i marrin te Teatri i Tetovës, çdo ditë nga ora 10:00-16:00.