Sulmi rus dëmtoi delegacionin e BE-së për Ukrainën në Kiev

Delegacioni i BE-së për Ukrainën në Kiev u “dëmtua rëndë” nga sulmet ajrore ruse të enjten, sipas zyrtarëve të lartë të BE-së, transmeton Euractiv.

“Delegacioni i BE-së në Kiev u dëmtua nga sulmet e sotme ruse në zonat civile”, shkroi komisionerja evropiane për Zgjerim Marta Kos në X.

“I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin”, shtoi Kos. “Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po e durojnë këtë agresion”.

Katarina Mathernova, ambasadorja e BE-së në Kiev, shtoi se delegacioni “u dëmtua rëndë nga vala e goditjes” e gjeneruar nga një sulm i drejtpërdrejtë me raketa në një ndërtesë civile aty pranë.

“Paqja” e Rusisë mbrëmë: një sulm masiv në Kiev me dronë dhe raketa balistike. Të paktën 10 të vrarë, 30 të plagosur, shumë ndërtesa të shkatërruara”, shkroi ajo. “Kjo është përgjigjja e vërtetë e Moskës ndaj përpjekjeve për paqe”.

Nuk besohet se asnjë punonjës në delegacion ka vdekur pavarësisht dëmtimeve të konsiderueshme në disa kate të ndërtesës shumëkatëshe.

Kjo nuk ësthë hera e parë që Rusia sulmon infrastrukturën civile rreth delegacionit, i cili ndodhet në zemër të kryeqytetit të Ukrainës. Në qershor, një dron Shahed “dëmtoi rëndë” një ndërtesë zyrash pranë delegacionit.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet e saj ajrore në të gjithë Ukrainën në muajt e fundit, pavarësisht përpjekjeve në rritje të Perëndimit për të arritur një zgjidhje diplomatike për luftën.

Ministrat e mbrojtjes e BE-së do të takohen më vonë sot në Kopenhagen për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën dhe për të mbajtur presionin mbi Rusinë për t’i dhënë fund pushtimit të saj në shkallë të plotë, i cili filloi në shkurt 2022.

Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e BE-së dhe një pjesëmarrëse në takimin e së enjtes, tha se sulmi me raketa tregon se Moska ka bërë një “zgjedhje të qëllimshme për të përshkallëzuar” luftën.

“Ndërsa bota kërkon një rrugë drejt paqes, Rusia përgjigjet me raketa”, tha ajo, duke shtuar: “Rusia duhet të ndalojë vrasjet dhe të negociojë”.