Takimi që kulmoi me keqkuptime rreth Qytetit të Shkupit, Arsovska akuzoi sërish VMRO-në

Keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit në vend se të qartësohen, kulmuan pas takimit të mbajtur të hënën (19.08) në mes të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të vetëqeverisjes lokale, Zlatko Perinski dhe kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska. Para fillimit të vitit shkollor qyteti është lënë në mëshirë të fatit. Në vend të zgjidhjes së problemeve me transportin publik, funksionimit të ndërmarrjeve publike dhe plehrave në të cilat po mbytet qyteti, të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, pa plane konkrete se si të gjejnë zgjidhje për problemet e shumta në të cilat kryeqyteti po fundoset, transmeton Portalb.mk.

Pasi ministri i Pushtetit Lokal Zlatko Perinski pas takimit të së hënës shprehu dyshim se gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur, kryetarja Danela Arsovska në një konferencë për media në Qytetin e Shkupit sulmoi me të gjitha armët këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët “një herë i kanë qëndruar pas dhe kanë premtuar” – ndërsa tani me mosvotimin e tyre po bllokojnë pikërisht realizimin e atyre premtimeve në Qytetin e Shkupit.

“Qyteti i Shkupit nuk mund të bëjë asgjë derisa 45 këshilltarë të mos ndalojnë së bllokuari programet që i bëjnë me vite. Qeveria duhet ta shlyejë borxhin prej 8 milionë eurosh”, tha prerë kryetarja e Shkupit. Ajo pretendon se e sulmojnë pa nevojë dhe i kërkojnë dorëheqje dhe përgjegjësi, kur faji është diku tjetër. Ajo tha se gjithçka varet nga vendimet e Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe se nuk mund t’i shkelë ligjet.

Arsovska tha se në takimin me Mickoskin në Qeveri ka propozuar zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohet Qyteti i Shkupit, por ka vlerësuar se ky takim ka shërbyer më shumë si “cirk politik për të marrë pikë politike”. Qeveria i dha afat deri të enjten për të përgatitur propozimet e reja që do t’i paraqesë para këshilltarëve.

“Do të përgatisim propozime të reja derisa t’i pëlqejnë Qeverisë”, tha ajo.

Konkluzioni i përgjithshëm i takimit, sipas Arsovskës, është mungesa e komunikimit ndërmjet grupeve të këshilltarëve brenda Qytetit të Shkupit.

“Është mirë që Mickoski u përpoq të korrigjojë gabimet e anëtarëve të partisë së tij. Fatkeqësisht, e gjithë kjo i ngjante një cirku politik vetëm për të fituar pikë politike. Unë nuk jam duke konkurruar për pikë politike”, tha ajo.

Pas takimit në Qeveri, ministri Perinski tha se nuk kanë dëgjuar ndonjë gjë konstruktive nga kryetarja për zgjidhjen e problemeve me Ndërmarrjen Komunale dhe Ndërmarrjen e Transportit Publik.

“Ndërmarrjet publike nuk mund të punësojnë 120 mijë persona, nëse ai program nuk është miratuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. Kjo do të ishte e paligjshme. Nëse do të kishin dëgjuar planet e mia, tani do të kishim një flotë krejtësisht të re. A nuk më premtoi Mickoski autobusët pranë meje? Në Shkup më kanë votuar 45 këshilltarë, por këtu në Këshill nuk kanë votuar asgjë. Nëse do të mund të bëja pa to, qyteti do të ishte në krye deri tani. Unë u bëra kryetare e papëlqyeshme pasi i kapja në flagrancë”, tha Arsovska, e cila beson se pa pengesa do t’i kishte përmbushur të gjitha premtimet e saj në vitin 2022.

Ndër to është edhe ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, për të cilin Arsovska thotë se i vjen keq që një nga projektet më të mëdha në kryeqytet është në ngecje.

“Por bëhet fjalë për fondet evropiane dhe njerëz që u kapën me “duart në mjaltë”, thotë ajo.

Problem serioz ka edhe transporti publik, ku mungojnë autobusët në prag të fillimit të vitit shkollor.

“Çdo vit për 50 vjet, nëse do të kishim blerë, do të kishim 150 autobusë deri më tani. Fatkeqësisht në mbledhje kanë thënë se nuk ka para në buxhet. Ata mund të kishin guxuar si Gruevski dhe të blinin 250 autobusë, nuk do të kishim asgjë kundër. Por ata nuk ofruan asgjë”, thotë Arsovska.

Përkundër borxhit prej tetë milionë eurosh në të cilin NTP po mbytet, Arsovska është e vendosur që transporti falas i studentëve të mos hiqet.

“Nuk po e ndalim udhëtimin falas për studentët. Ka një arsye që quhet standardi i studentëve. Gjeni një hero që të thotë se studentët nuk duhet të paguhen për të. Është një vendim i qeverisë i marrë 10 vite më parë dhe nuk ka pse të mos zbatohet tani”, thotë ajo.

Takimi i djeshëm midis Arsovskës dhe Mickoskit është i pari për të cilin opinioni është në dijeni pas ndarjes së “rrugëve” në vitin 2022 midis Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së me mbështetjen e së cilëve ajo u bë kryetare e Shkupit. Ministri aktual i vetëqeverisjes lokale Zllatko Perinski dikur ishte drejtor i NP “Ujësjellës Kanalizime” dhe ka qenë drejtori i parë i Ndërmarrjes Publike nga radhët e VMRO-DPMNE-së, të cilin kryetarja Arsovska e shkarkoi nga posti i tij në 2022. Ndërsa pas kësaj, pasuan një sërë shkarkimesh të tjera nga postet e drejtorëve në ndërmarrjet publike dhe pas tensioneve në rritje mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së.