Sulmi izraelit në Liban vrau një komandant të lartë në njësinë elitare të Hezbollahut

Një sulm izraelit në Libanin jugor të hënën vrau një komandant të lartë të forcave elitare të Hezbollahut, thanë tre burime të sigurisë për Reuters.

Burimet e sigurisë e identifikuan atë si Wissam al-Tawil, nënkryetari i një njësie brenda forcës Radwan.

Ata thanë se ai dhe një luftëtar tjetër i Hezbollahut u vranë kur makina e tyre u godit nga një sulm në fshatin libanez Majdal Selm.

“Kjo është një goditje shumë e dhimbshme,” tha një nga burimet e sigurisë.

Një tjetër burim tha: “Gjërat do të ndizen tani”.

Bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 130 luftëtarë të Hezbollahut në Libanin jugor që nga fillimi i bombardimeve ndërkufitare si pasojë e sulmit të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor. 19 të tjerë janë vrarë në Siri.

Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, paralajmëroi Izraelin në dy fjalime televizive javën e kaluar që të mos nisë një luftë të plotë në Liban.

“Kushdo që mendon për luftë me ne – me një fjalë, do të pendohet”, tha Nasrallah.

Tensionet mes grupit militant Hezbollah dhe forcave izraelite kohët e fundit janë përshkallëzuar, javën e kaluar u vra një prej udhëheqësve të Hezbollah-ut, Saleh al-Arouri dhe si kundërpërgjigje të shtunën në një bazë izraelite u lëshuan 60 raketa.