Strehimorja e parë për gratë e dhunuara në Gostivar, Zenku nga qendra “Etika”: Dhuna nuk duhet fshehur

Në Gostivar më 6 qershor 2024 është hapur strehimorja e parë për gratë e dhunuara. Kjo strehimore do të jetë derë e hapur për të gjithë gratë që dhunohen ndërsa do të menaxhohet nga qendra për të drejtat e grave “Etika” në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë e Gostivarit. Më herët, në vitin 2022 nga Ministria e Punës Sociale u njoftua për hapjen e Qendrës për gratë viktima të dhunës në familje në rajonin e Pollogut në Gostivar, por e njëjta ka funksionuar si qendër intervente. Në lidhje me strehimoren e sapohapur, Portalb.mk intervistoi Sebajete Zenkun, kryetaren e qendrës për të drejtat e grave “Etika”, e cila tregon më tepër se si do të funksionojë kjo qendër. Strehimorja është 170 metra katrorë ku mund të strehon prej gjashtë deri në tetë gra të dhunuara.

Portalb: Na tregoni se si lindi ideja për hapjen e strehimores?

Sebajete Zenku: Kur e pamë që problem i dhunës në familje thellohet dita ditës më shumë, e pamë të arsyeshme të marrim iniciativë edhe për hapjen e një strehimoreje apo një vend qëndrimi për gratë të cilat përjetojnë dhunë në familje dhe nuk kanë rrugë dalje tjetër. Në këtë aspekt me përkrahjen UNPFA-së ne kemi arritur të hapim një qendër për strehimin e grave dhe fëmijëve të tyre viktima të dhunës në familje.

Portalb: Si mund të paraqitet një grua e dhunuar te kjo qendër?

Sebajete Zenku: Gratë në të ardhmen mund të paraqitet direk te ne apo te Qendra për Pune Sociale apo në polici. Për shkak se qendra jonë është në bashkëpunim të ngushtë me qendrën për punë sociale në Gostivar dhe me policinë e Gostivarit. Në cilën do metodë që ato ta shfrytëzojnë apo direkt te ne apo direkt në qendër ne jemi në bashkëpunim të ngushtë… Ne do të dalim dhe publikisht de do të tregojmë numrin e telefonit ku mund të na kontaktojnë neve apo të shkojnë direkt në qendrën për punë sociale pastaj ato neve na informojnë e na tregojnë ku është viktima dhe ta çojmë në vendin e sigurt.

Portalb: Sa do të jetë afati i qëndrimit në strehimore?

Sebajete Zenku: Në strehimoren tonë do të mund të qëndrojë nëna me fëmijët e tyre. Qëllimi jonë nuk është t’i ndajmë nënat nga fëmijët por të mund t’ju ndihmojmë të largohen nga ambienti i dhunshëm për një periudhë. Në strehimoren tonë gratë do të mund qëndrojnë nga tre deri në gjashtë muaj në rast nevoje do të mund të qëndron deri në një vjet por qëllimi kryesorë është që në atë periudhë sa ato do të jenë të strehuar në strehimoren tonë ne përmes aktiviteteve të ndryshme, përmes ekipit që ne e kemi angazhuar në strehimore të mund që atyre grave të ju ndihmojmë që të mund të rehabilitohen dhe të aftësohen për jetë, kështu që në të njëjtën kohë do të mundohemi që këto gra që duan të punësohen t’i çojmë në kurse të ndryshme të mundohemi t’ju gjejmë vend pune që ato pas një periudhe të mund të pavarësohen dhe të vazhdojnë jetën vetëm. Do të thotë nuk është qëllimi jonë t’i marrim e t’i lemë në rrugë por t’ju mundësojmë atyre të vazhdojnë jetën si të pavarura nëse është ajo vendimi i tyre.

Sebajete Zenku, kryetare e qendrës për të drejtat e grave “Etika” në Gostivar. Foto: Portalb.mk
Sebajete Zenku, kryetare e qendrës për të drejtat e grave “Etika” në Gostivar. Foto: Portalb.mk

Portalb: Sa do të zgjasë kontrata e bashkëpunimit me UNPFA-në?

Sebajete Zenku: Kryesisht UNPFA-ja dhe shumë donatorë të tjerë të huaj të përkrahin një vit, të përkrahin në fillimet tuaja por pastaj, realisht janë komunat ata të cilët duhet të marrin përgjegjësinë për një veprim të tillë. Ne kemi bashkëpunim edhe me komunën e Gostivarit më mirë të them kemi shumë bashkëpunim moral por kur vjen puna për bashkëpunimin financiar është pak problem. Pasi që një qendër për strehim të grave duhet të ketë përkrahje financiare kontinuitet, nuk mundet një qendër të funksionojë vetëm me përkrahje parciale një periudhë ndahen një shumë parash e më pas’ jo. Pasi që kjo është një shtëpi dhe aty strehojmë gra për të cilat ne kujdesemi për çdo aspekt. Kur themi në çdo aspekt në ushqim, në veshmbathje, në kontrollime mjekësore në ndjekjen e procedurave në gjyq d.m.th është shtëpi e cila i ka të gjitha shpenzimet që mund të ketë një shtëpi me rrymë, me ujë me të gjitha kushte. Kështu që duhet për atë përkrahje të përhershme me kontinuitet që të mund të funksionojë siç duhet.

Portalb: Strehimorja vlen vetëm për qytetarët e Gostivarit apo edhe për qytetet tjera?

Sebajete Zenku: Ne funksionojmë edhe në nivel lokal por edhe nivel qendror në tërë shtetit varësisht nga aktivitetet që janë si organizatë. Kur them si organizatë ne mundohemi të përfshijmë të gjitha temat dhe të gjitha problemet të cilat i tangon gratë edhe vajzat këtu në këtë shtet. Ndërsa sa i përket strehimores mund lirisht të mburremi se ne ia arritëm të hapim një qendër e cila ka munguar në këtë regjion, me vite të tëra nuk ka pasur kurrë kështu që mjafton gratë të dinë që në rast nevoje, në rast urgjente të mund të dinë se ku do të mund të drejtohen.

Portalb: Cilat janë ankesat më të mëdha të grave kur paraqiten te ju?

Sebajete Zenku: Ankesa kryesore është dhuna. Kur flasin gratë për dhunën fizike shumë pak gra e pranojnë dhe janë të rralla që e pranojnë dhunën fizike për arsye se ato ende nuk kanë mbaruar me veten, ende nuk janë çliruar nga vetja dhe nuk e kanë atë fuqi që ta pranojnë publikisht se ato përjetojnë dhunë fizike. D.m.th. se për një grua që pranon dhunë fizike është në kulminacionin e saj dhe më nuk ka zgjedhje tjetër dhe e pranon. Se për ndryshe nuk e quajnë një shuplak, shkelm, një të shtyrë nuk e quajnë kurrgjë ashtu nga dashuria bëhen këto sende e shohin. E keqja se këto gra shumë pak e bëjnë identifikimin e të gjitha llojeve të dhunës. D.m.th. dhunën fizike e përmendin ato më që janë në pozitë më të vështirë ndërsa për dhunën ekonomike, psikologjike, emocionale, dhunën seksuale aspak nuk e flasin apo në formë të shakasë shumë herë ndodh p.sh. bashkëshorti apo anëtarët e tjerë të familjes të përbuzin apo të nënçmojnë e marrin si diçka si normale dhe është pjesë e shoqërisë. Mirëpo, sendet kanë ndryshuar të rejat janë vetëdijesuar më shumë, flasin me hapur kërkojnë të drejtat e tyre vërehet një ndryshim nga gjenerata në gjeneratë.

Portalb: Çfarë ju rekomandoni grave të cilat përjetojnë dhunë?

Sebajete Zenku: Një grua që përjeton dhunë nuk duhet ta mbajë brenda vetes, por, duhet të fol haptazi të kërkojë ndihmë tanimë edhe në qendrën tonë kemi edhe psikolog të angazhuar edhe punëtorë social ka një ekip të përgatitur të cilët këtyre grave do t’ju ofrojnë shërbimin e merituar.

Strehimorja e sapo hapur ka kapacitet për të strehuar nga gjashtë deri në tetë gra të dhunuara.

Për fund Zenku porositi që faktor i rëndësishëm në parandalimin e dhunës është pavarësia ekonomike e grave, pasi sipas saj “një grua e cila ekonomikisht është e pavarur e ka shumë më të lehtë të ndërmerr çfarëdo hapash”.

Shifra të larta të dhunës në Gostivar

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për dhunën në Gostivar janë shqetësuese.

Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë njoftoi se gjatë vitit 2022, në zonën e DPB-Gostivar janë raportuar gjithsej 54 raste të dhunës në familje ndaj grave, prej tyre 28 bashkëshorte, 8 nëna, 2 ish bashkëshorte, 5 gra në bashkësi jashtëmartesore, 2 motra, 1 e fejuar dhe 5 nuse etj.

Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Gjatë vitit 2023 kemi shënuar një rënie prej 28% krahasuar me vitin 2022, ku në këtë zonë janë raportuar gjithsej 39 raste të dhunës në familje ndaj grave, nga të cilat 15 bashkëshorte, 5 nëna, 5 ish bashkëshorte, 9 gra jashtëmartesore. bashkim, 2 motra, 2 gjyshe etj”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se gjatë tre muajve të parë të vitit 2024 në zonën e DPB-Gostivar janë raportuar gjithsej 9 raste të dhunës në familje ndaj grave, prej të cilave 8 bashkëshorte dhe 1 nënë, ku 7 prej veprave kanë të bëjnë me përdorimin të forcës fizike dhe shkaktimit të lëndimeve fizike dhe 2 me rrezikim të sigurisë.

“Autorët në numrin më të madh të rasteve gjatë kryerjes së krimeve kanë përdorur forcë fizike duke shkaktuar lëndime trupore apo është kërcënuar siguria, ndërsa shkaku më i shpeshtë për kryerjen e këtyre veprave është çrregullimi nervor dhe nervozizmi i autorëve, droga dhe alkooli”, tha Rexhepi.

Përndryshe, ekspertët e fushës qysh moti kanë alarmuar se strehimorja në rajonin e Pollogut duhej të krijohet sa më parë, pasi nevoja për të është urgjente.