Sot mbaron afati për të votuar për Çmimin për Pjesëmarrje Rinore në Maqedoninë e Veriut

Agjencia për Rini dhe Sport së bashku me Këshillin Rinor Nacional për të Maqedonisë (KRNM) do të kenë të hapur edhe sot votimin për të zgjedhur aktivistët që kanë kontribuar më së shumti në jetën rinore në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“ARS në bashkëpunim me KRNM-në këtë vit e ndajnë Çmimin për pjesëmarrje rinore. Çmimi synon të njohë dhe të vlerësojë punën e të rinjve në adresimin e çështjeve të ndryshme sociale”, thuhet në njoftimin e Agjencisë, ku bëhet thirrje që të votohet në secilën prej kategorive deri më 6 gusht.

Votimi mund të bëhet ONLINE në tre kategoritë e përcaktuara. Çmimet do të ndahen dhe do t’i prezantohen publikut të gjerë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë (11 gusht 2023) në Shkup.

“Votoni për kandidatët tuaj të preferuar në kategorinë individuale, kategorinë e grupeve joformale të të rinjve dhe kategorinë për organizatat rinore, organizatat e të rinjve dhe organizatat rinore ombrellë, dhe na ndihmoni të zgjedhim fituesit e sivjetmë të Çmimit për Pjesëmarrje Rinore”, kërkojnë nga Agjencia.

Ndryshe, të gjitha iniciativat rinore, grupet joformale rinore dhe organizatat rinore në Republikën e Maqedonisë së Veriut që kanë demonstruar vizion të qartë, kreativitet të jashtëzakonshëm, inovacion dhe udhëheqje dhe rezultate të matshme në përmirësimin e komunitetit apo mirëqenies së shoqërisë kanë pasur mundësi të konkurrojnë që të marrin një nga çmimet që i ndanë Agjencia për Rini dhe Sport (ARS) në bashkëpunim me Këshillin rinor nacional të Maqedonisë (KRNM), në kuadër të Çmimit për pjesëmarrje të të rinjve.

Në kuadër të këtij çmimi do të jepen 3 çmime, një në secilën nga kategoritë e mëposhtme: Kategoria individuale për të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç; Kategoria e grupeve joformale rinore me të paktën 3 anëtarë dhe Kategoria e organizatave rinore.

Qëllimi i këtij çmimi është njohja dhe valorizimi i punës së të rinjve në adresimin e çështjeve të ndryshme sociale, ndërsa mbështetja financiare që do të jepet do të sigurojë promovimin e punës dhe aktivizmit të fituesit.

Çmimi për pjesëmarrjen e të rinjve sipas kategorive që fituesit do të marrin janë: 1500 euro për kategori individuale; 3000 euro për grupet joformale rinore dhe 3000 euro për organizatat rinore.