“Vera Tetovare”, me agjendë të pasur kulturore synon të ngjallë qytetin
Prej datës 16 korrik deri në fillim të muajit gusht, Komuna e Tetovës, organizon eventin maratonik “Vera e Kulturës Tetovare”, nën moton “Festojmë në Vendlindje”, në kuadër të së cilës mbahen aktivitete të shumta kulturore dhe artistike të cilat shënojnë ditët e nxehta të verës në Tetovë, në mënyrë për të pasuruar jetën kulturore si dhe për të argëtuar qytetarët dhe të rinjt e qytetit, shkruan Portalb.mk.
Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës, për Portalb.mk tha se me këtë aktivitet do të sjellin një program të pasur kulturor që do ta ngjallë qytetin e Tetovës.
“Këtë vit, “Vera Tetovare”, sjell një program të pasur, gjithëpërfshirës që përfshin sport, muzikë, art, letërsi, trashëgimi kulturore dhe aktivitete për të gjitha moshat. Me aktivitete që nisin që nga data 16 korrik dhe vazhdojnë deri në gusht, qytetarët e Tetovës dhe mërgimtarët do të kenë mundësinë të përjetojnë netë kulturore me ansamble nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, koncerte madhështore me artistë të njohur, ekspozita arti, promovime librash, aktivitete për fëmijë dhe shumë më tepër”, tha Alili.
Ai shtoi se edhe për këtë vit do të ketë risi të shumta.
“Po, këtë vit do të sjellim disa risi të rëndësishme sidomos në fushën e sportit por edhe të fushave të tjera si; Ekspozita me titull “Kinematografi” e artistit Orges Merdani, promovime librash, tryeza shkencore për trashëgiminë historike, kulturore dhe antropologjike të Tetovës me pjesëmarrje të profesorëve eminentë nga rajoni. Ekspozita fotografike “Pejsazhet e monumenteve dhe natyrës së Kosovës” nga Korab Krasniqi. Këtu inkuadrohen netët rinore me artistë të rinj dhe alternativë si Fisnikët, Jeriko, Fjolla Ibraimi, Dren Abazi dhe Offchestra. Old-timer shoë dhe aktiviteti “Off-road” që do të organizohen në shtator. Aktiviteti për fëmijë me maskota si dhe street basketball”, tha Alili.
Ai tregoi se çfarë përmban programi i sivjetshëm.
“Java sportive që nis më 16 korrik. Netët e komuniteteve (21-24 korrik): grupe dhe ansamble nga komuniteti shqiptar, maqedonas, turk dhe rom. Netët rinore me 3 koncerte të dedikuara për të rinjtë Koncerte madhështore (29-31 korrik)”, tha Alili.
Alili gjithashtu tha se ky aktivitet do ta transformoj qytetin e Tetovës në qendër të gjallë artistike.
“Manifestimi nis më 16 korrik me javën sportive dhe do të zgjasë deri më fillim të muajit gusht, me disa aktivitete të veçanta që do zhvillohen edhe në shtator. Gjatë kësaj periudhe, çdo ditë do ketë aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat, duke e bërë këtë një ndër edicionet më të plota dhe më gjithëpërfshirëse të “Verës Tetovare”. “Vera Tetovare” do ta transformojë qytetin në një qendër të gjallë kulturore dhe artistike. Pjesëmarrja e grupeve dhe artistëve nga rajoni, netët kulturore, koncertet e mëdha dhe përfshirja e të rinjve do të krijojnë një atmosferë të veçantë bashkimi dhe gjallërie në qytetit”, tha Alili.