Shqipëria pati mbi 1,3 milionë vizitorë në vendet kulturore gjatë vitit 2024

Numri i vizitorëve në vendet kulturore, ku historia takohet me të tashmen dhe përcillet ndër vizitorët dhe brezat e të ardhmes, gjatë vitit 2024 shënoi rritje me 31 përqind në Shqipëri, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se sitet kulturore gjatë vitit 2024 janë vizituar nga 1 314 999 persona, 31% më shumë krahasuar me 2023.

Pesë sitet më të vizituara janë Kalaja e Gjirokastrës, Parku Kombëtar i Butrintit, Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë, Parku Arkeologjik në Shkodër dhe Parku Arkeologjik në Apoloni.

Të dhënat e publikuara nga ministri Gonxhja tregojnë se Kalaja e Gjirokastrës pati numrin më të lartë të vizitorëve, 263,048 gjithsej.

Parku Kombëtar i Butrintit në vitin që lamë u vizitua nga 200,570 vizitorë, ndërsa Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë nga 174,571 vizitorë.

Parku Arkeologjik i Shkodrës u vizitua nga 157,827 vizitorë dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga 121,807 qytetarë.

Pamje nga sitet kulturore. Foto: Blendi Gonxhja (Facebook)
Pamje nga sitet kulturore. Foto: Blendi Gonxhja (Facebook)