Shoferi i NTP Shkup: Na japin të vozisim autobusë të prishur, prandaj ndodhin aksidente

Na japin të vozisim autobusë me defekt, prandaj dje autobusi doli nga rruga dhe u përplas në rrethojën prej betoni afër QT “Mavrovka”, tha sot shoferi Ferzi Arifi pas incidentit të ndodhur dje pasdite në linjën numër 2. Arifi e tha këtë në konferencë për media para selisë së NTP “Shkup” e cila organizoi Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë (KOSM), transmeton Portalb.mk.

Në incidentin e djeshëm, përveç shoferit Arifi, është lënduar edhe një grua.

Kryetari i KOSM-it, Marjan Risteski, tha se fajtor për incidentin është menaxhmenti i kompanisë, i cili nuk e kryen servisin e autobusëve, duke vënë në rrezik punëtorët dhe udhëtarët.

“Ngjarja ka ndodhur për shkak se timoni ka qenë me defekt, gjegjësisht është bllokuar në atë moment dhe falë qetësisë dhe përvojës së shoferit nuk ka ndodhur një aksident i madh. Ky autobus, ashtu si të tjerët, u raportua se ishte me defekt, por nuk servisohen. Imagjinoni, ky autobus ka shkuar në Vodno para disa ditësh”, tha Risteski.

Pas kësaj, në konferencë për media doli drejtori i ri Dragi Kushovski, i cili ka një javë që është në detyrë, i cili u tha se po përhapin spekulime. Ai u kërkoi atyre që t’i bashkëngjisin një raport ku thuhet se autobusi ishte me defekt. Pas akuzave të tilla të drejtorit, shoferi Arifi filloi të qajë dhe ka thënë se vazhdimisht raportojnë defekte, por autobusët janë vënë në komunikacion të nesërmen dhe u jepen shoferëve të tjerë.

“Kam qenë gjithë jetën në NTP, këtu dhe në rrugët e Shkupit më janë zbardhur flokët. Në itinerarin nga linja 2 njoh çdo gropë dhe nuk është e mundur të më ndodhë diçka e tillë. Mu bllokua timoni, më vjen keq për udhëtarët që duhet të hipin në autobusë të tillë me defekt”, ka thënë Arifi.