Shkup, është shembur një pjesë e murit mbajtës mbi Klinikën e fëmijëve, në pyetje janë disa orë për tu shembur i tëri

Sot në mëngjes është shembur një pjesë e murit mbajtës prapa Klinikës për Fëmijë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, në rrezik janë jetët dhe pronat e njerëzve, tha sot drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojançe Angelov, transmeton Portalb.mk.

Angelov thotë se para një viti e gjysmë QMK ka marrë njoftime nga disa qytetarë se muri mbajtës në rrugën Belgradska, i cili kalon pranë qendrës klinike “Nënë Tereza”, mbi Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve, është në gjendje të keqe, është i pjerrët dhe ekziston rreziku i rënies.

QMK menjëherë ka njoftuar të gjitha institucionet kompetente si Ministrinë e Shëndetësisë, Qytetin e Shkupit, si dhe Komunën Qendër, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) që të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

“Fatkeqësisht, një vit e gjysmë më vonë, asgjë nuk është bërë. Gjendja e murit është përkeqësuar edhe më shumë dhe sot herët në mëngjes në 112 kemi marrë njoftim se një pjesë e këtij muri është shembur, por bëhet fjalë vetëm për një ditë, e ndoshta një orë, kur pjesa tjetër e murit të shembet, nën të cilat, parkohen dhe kalojnë automjete, po ashtu edhe njerëzit. Prandaj apelojmë Ministrinë e Shëndetësisë, Qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër që urgjentisht të merren me tejkalimin e këtij rreziku”, thotë Angelov.

Sipas tij, rreziku është kompleks sepse rruga kufizon Qendrën Klinike me shtëpitë menjëherë sipër saj.

“Nën rrugë ka një sistem boshtesh dhe kanalesh nëntokësore, pronësinë e të cilëve nuk mund ta përcaktojmë. Ata janë në gjendje shumë të keqe. Ata nuk mbledhin ujin nëntokësor që vjen nga shpatet e Vodno-s dhe shpërthen në vetë murin, duke prishur më tej stabilitetin e murit, si dhe të rrugës. Këtu automjetet lëvizin në të dy drejtimet, por është e ngushtë dhe mezi divergjojnë. Në skenarin më të keq do të shembet edhe muri, por edhe rruga”, tha Angelov, duke përsëritur se nevojitet një koordinim urgjent i institucioneve kompetente.