Shekulli i Kadaresë

Vepra e Kadaresë do të lexohet kudo e kurdo. Shkrimtarët gjenialë krijojnë një formë tjetër ekzistenciale nëpërmjet veprave të tyre. Ata komunikojnë pandërprerë me të gjithë sistemet kulturore dhe i ngashënjejnë lexuesit e epokave të ndryshme. “Ka diçka që vdekja nuk mund ta prekë”, tha Jack Thorne.

Ndonëse fjalia e mësipërme ngjan si klishe për rastet kur shuhet një gjeni, ajo e shpreh një të vërtetë të pakontestueshme: me ikjen në amshim të Kadaresë, letërsia që krijoi nuk humb asgjë. Ajo është aty për t’u lexuar, kurse kombi që ka një shkrimtar si ai është me fat.

Kadare është shkrimtar i rëndësishëm edhe për botën kulturore europiane. Këtë e dëshmon fakti se ikjes së tij në amshim iu kushtua vëmendje e madhe nga personalitetet botërore dhe mediet më prestigjioze të botës.

Ka edhe zhurmë. Asnjërës kohë nuk i kanë munguar zhurmuesit, të cilët nuk pushojnë as në ditë zie. Por vepra e Kadaresë mbetet e pacenuar nga kjo zhurmë. Ajo mbrohet nga një shpirt i shenjtë, nga shpirti i letërsisë.

Popujt e vegjël shpesh një shkrimtar të madh e shohin edhe si misionar, edukator, veprimtar, madje edhe shenjt. E rëndojnë me kërkesa që nuk mund t’i përmbush. Kadarenë, në rend të parë, duhet ta shohim si shkrimtarin që krijoi një vepër të madhe letrare; që krijoi një bibliotekë të përjetshme, e cila do t’i mëkojë lexuesit e sotëm dhe të nesërm me grimca ëndrrash dhe shumëçka frymore…

Shkrimtari Ismail Kadare më nuk ka “detyrime” ndaj shoqërisë. Ai e kreu detyrimin e tij duke shkruar letërsi të mirë. Tani ne kemi detyrime ndaj veprës së Kadaresë, nëse vërtet i respektojmë vlerat e gjenive të kombit dhe të kulturës sonë.

Vepra e gjuhëpasuruesit Ismail Kadare është pjesë e përhershme e letërsisë shqiptare dhe europiane. Kaq do të duhej të na mjaftonte. Ai dëshmoi se ky komb mund t’i jepte botës shkrimtarë të mëdhenj. Ai dëshmoi se gjuha shqipe ka fuqi të madhe shprehëse.

Kadareja nuk ishte shfaqje e rastësishme në kulturën tonë. Vepra e tij është vazhdimësi dhe pasurim i paradigmave paraprake, shumë të rëndësishme për kulturën shqiptare.

Vepra e Kadaresë shërbeu dhe shërben edhe si far që na orienton drejt vlerave kulturore dhe qytetërimore europiane. Nëpërmjet letërsisë ai e mbajti gjallë ëndrrën europiane te shqiptarët. Një nga kumtet kryesore të krijimtarisë së tij është rikthimi tek ky ideal, sepse sa herë që shqiptarët e humbën Europën, përjetuan fatkeqësi të shumta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.