Shefja e re e politikës së jashtme të BE-së me paralajmërim për kërcënimin nga Rusia dhe Kina

Shefja e ardhshme e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian u ka thënë euro-deputetëve se forcimi i sigurisë duhet të jetë një përparësi, duke paralajmëruar se Evropa duhet të përgatitet ndërsa Rusia dhe “pjesërisht Kina” shfrytëzojnë shoqëritë e hapura të kontinentit, raporton Zëri i Amerikës.

“Siguria evropiane është thellësisht personale për mua, si banore e një vendi, që për një kohë të gjatë u ka thënë të tjerëve se ëndrra imperialiste e Rusisë nuk ka vdekur kurrë”, tha Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, në përgjigjet me shkrim për deputetët e Parlamentit Evropian, të cilat u publikuan vonë të martën.

“Përparësia ime afatshkurtër duhet të jetë trajtimi i shqetësimeve urgjente globale, si lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe forcimi i sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së”, tha ajo.

Zonja Kallas, e emëruar nga krerët evropianë në qershor në postin e Shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, do të pasojë shefin aktual Josep Borrell.

Parlamenti Evropian do të mbajë seanca dëgjimore në nëntor për anëtarët e Komisionit të ardhshëm Evropian.

Në 21 faqe përgjigjesh ndaj pyetjeve të bëra nga ligjvënësit përpara seancave dëgjimore, politikania estoneze paraqiti vizionin e saj për politikën e jashtme të Evropës në një kohë kur BE-ja përballet me një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të ndërlikuar.

BE-ja duhet të jetë “udhëheqëse në përpjekjet humanitare” në Lindjen e Mesme”, tha zonja Kallas. Ajo theksoi se Brukseli duhet të punojë “me të gjitha palët për të mbështetur përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse” në Lindjen e Mesme, duke vënë në dukje gjithashtu sfidat si mbështetja e Kinës për Rusinë.

“Vendet si Rusia, Irani, Koreja e Veriut dhe pjesërisht Kina, synojnë të përdorin si armë ndërvarësinë dhe të përdorin shoqëritë tona të hapura kundër nesh”, shtoi ajo. “Për këtë duhet të jemi të përgatitur”.