Shefi i fuqishëm i kabinetit të Zelenskit, Andrij Jermak, jep dorëheqje pas bastisjes në shtëpinë e tij 

Shefi i kabinetit të Volodimir Zelenskit, Andrij Jermak, ka dhënë dorëheqjen pas një bastisjeje të kryer sot nga agjencitë antikorrupsion në banesën e tij. Jermak ishte këshilltari më i afërt i Zelenskit që nga fillimi i luftës dhe kryenegociatori ukrainas në bisedimet e paqes me SHBA-në. Ai konsiderohej personi i dytë më me ndikim në vend dhe shpesh quhej “nënkryetari” jozyrtar, transmeton Portalb.mk.

Jermak u përball me presion të madh publik për shkak të një skandali të madh korrupsioni në sektorin energjetik të vendit, edhe pse deri më tani nuk ishte akuzuar zyrtarisht në këtë çështje. 

Ai konfirmoi se bastisjet janë zhvilluar në pronat e tij, duke deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me hetuesit. 

Dy ministra u shkarkuan pas zbulimit të një skeme korrupsioni prej 100 milionë dollarësh, të drejtuar nga ish-partneri i biznesit të Zelenskit, Timur Mindiç, i cili ka ikur nga vendi.  

Sipas Byrosë Kombëtare Antikorrupsion të Ukrainës (NABU), disa persona kishin krijuar një grup kriminal dhe kishin ngritur një skemë të gjerë korrupsioni për të ndikuar mbi ndërmarrjet strategjike shtetërore, veçanërisht operatorin shtetëror të energjisë bërthamore “Energoatom”.