SHBA vendosi sanksione ndaj zyrtares së OKB-së, Francesca Albanese, e cila po heton abuzimet në Gaza
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Francesca Paola Albanese, Raportuese Speciale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Territoret Palestineze të Pushtuara, duke e akuzuar për veprime të drejtpërdrejta që synojnë hetimin dhe ndjekjen penale të shtetasve amerikanë dhe izraelitë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJPN). Vendimi, i marrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 14203 të lëshuar nga ish-Presidenti Donald Trump, vjen si përgjigje ndaj asaj që Uashingtoni e cilëson si një shkelje flagrante të sovranitetit të SHBA-së dhe Izraelit, shkruan Euronews.al.
Administrata amerikane e akuzon Albanesen për përhapje të antisemitizmit dhe mbështetje për veprime që cenojnë interesat kombëtare, ndërsa paralajmëron se do të ndërmarrë masa të tjera për të mbrojtur veten dhe aleatët e saj nga veprime të konsideruara të padrejta të GJPN-së dhe aktorëve të saj.
Urdhëri ekzekutiv i Trump i plotë:
“Sot, po vendos sanksione ndaj Francesca Paola Albanese, “Raportuese Speciale për Situatën e të Drejtave të Njeriut në Territoret Palestineze të Pushtuara që nga viti 1967” të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 14203 të Presidentit Trump, “Vendosja e Sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale”. Albanese është angazhuar drejtpërdrejt me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN) në përpjekjet për të hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetasit e Shteteve të Bashkuara ose Izraelit, pa pëlqimin e këtyre dy vendeve. As Shtetet e Bashkuara dhe as Izraeli nuk janë palë në Statutin e Romës, duke e bërë këtë veprim një shkelje të rëndë të sovranitetit të të dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar dhe kundërshtuar vazhdimisht aktivitetet e njëanshme dhe keqdashëse të Albanese, të cilat e kanë bërë prej kohësh të papërshtatshme për shërbimin si Raportuese Speciale. Albanese ka përhapur antisemitizëm të hapur, ka shprehur mbështetje për terrorizmin dhe përbuzje të hapur për Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Perëndimin. Ky paragjykim ka qenë i dukshëm gjatë gjithë karrierës së saj, duke përfshirë rekomandimin që Gjykata Penale Ndërkombëtare, pa një bazë legjitime, të lëshojë urdhër-arreste kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
Kohët e fundit ajo e ka përshkallëzuar këtë përpjekje duke shkruar letra kërcënuese për dhjetëra subjekte në të gjithë botën, përfshirë kompani të mëdha amerikane në financë, teknologji, mbrojtje, energji dhe mikpritje, duke bërë akuza ekstreme dhe të pabaza dhe duke rekomanduar që GJND-ja të ndjekë penalisht këto kompani dhe drejtuesit e tyre. Ne nuk do t’i tolerojmë këto fushata lufte politike dhe ekonomike, të cilat kërcënojnë interesat dhe sovranitetin tonë kombëtar.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërmarrin çdo veprim që e konsiderojnë të nevojshëm për t’iu përgjigjur ligjit, për të kontrolluar dhe parandaluar tejkalimin e paligjshëm të GJPN-së dhe abuzimin me pushtetin, si dhe për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe atë të aleatëve tanë”.