SHBA-ja do ta ndihmojë së shpejti Ukrainën me 2.3 miliardë dollarë

Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Ukrainën së shpejti me mbi 2.3 miliardë dollarë, tha të martën sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, gjatë një takimi në Pentagon me homologun e vet ukrainas, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ka disa muaj që zyrtarët ukrainas u bëjnë thirrje aleatëve të vet ta furnizojnë Kievin me më shumë kundërajrorë, në mënyrë që të mbrohet kundër sulmeve të shpeshta ajrore të forcave ruse.

Austin theksoi se ndihma e re më armë për Ukrainën do të përfshijë armë antitanke dhe armë për mbrojtje ajrore. Ajo do ta mundësojë gjithashtu përshpejtimin e blerjes së kundërajrorëve Patriot dhe NASAMS.

“Jam krenar që Shtetet e Bashkuara së shpejti do të njoftojnë për një ndihmë të re të sigurisë në vlerë më shumë se 2.3 miliardë dollarë për Ukrainën”, tha Austin.

Shtetet e Bashkuara e kanë ndihmuar Ukrainën me më shumë se 50 miliardë dollarë ndihmë ushtarake prej vitit 2022, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të saj.

Por, ka shqetësime tani për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Kievin, nëse Donald Trump i fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Dy këshilltarë të rëndësishëm të Trumpit ia kanë paraqitur atij një plan për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë – nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Plani përfshin edhe furnizimin e Ukrainës me më shumë armë amerikane vetëm nëse ajo futet në bisedime për paqe me Moskën.

Ky propozim do të shënonte një ndryshim të madh në qëndrimin e SHBA-së karshi luftës dhe do të kundërshtohej nga aleatët evropianë dhe nga anëtarë të vet Partisë Republikane.