ShBA: Është vrarë organizatori i Hamasit i ngjarjeve të 7 tetorit në Izrael

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se forcat izraelite vranë zëvendëskomandantin e Hamasit në Gaza dhe një nga organizatorët kryesorë të ngjarjeve të 7 tetor të vitit të kaluar, Marwan Issa, raporton “The Guardian”. 

Sipas Sullivan, një zyrtar i lartë i krahut të Hamasit u vra në një operacion nga forcat izraelite në Gaza javën e kaluar.

Megjithatë, duke shpallur informacionin, zyrtari i Shtëpisë së Bardhë shtoi:

“Një plan ushtarak nuk mund të ketë sukses pa një plan të integruar humanitar dhe politik,” tha Sullivan.

Ndryshe, për momentin as Hamasi dhe as Izraeli nuk e kanë komentuar raportin.

Issa thuhet se lidhet drejtpërdrejt me vendimin e 7 tetorit të vitit të kaluar. Sulmi çoi në luftën aktuale të përgjakshme dhe gjenocidale izraelite në Rrip. Operacionet e deritanishme kanë kushtuar dhjetëra mijëra civilë palestinezë.

Sipas raportimeve, zëvendës udhëheqësi ushtarak i Hamasit në Gaza besohet të jetë vrarë një javë më parë në një sulm ajror në një kompleks tunelesh nën kampin e refugjatëve Nuserite në Gazën qendrore. Raportet për vdekjen e Issa-s dolën të shtunën në fundjavë.

Ekspertët dhe ish-zyrtarët e inteligjencës, duke komentuar vrasjen e supozuar të një komandanti të lartë ushtarak të Hamasit, thanë se sulmi sugjeronte se Izraeli po merrte informacion nga një burim i lartë në organizatë.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore palestineze të kontrolluara nga Hamasi thanë se të paktën 20 njerëz u vranë gjatë natës në sulmet ajrore izraelite në qytetin Rafah dhe Rripin qendror të Gazës.

Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se një seri shkatërruese sulmesh ajrore izraelite vranë një numër të madh civilësh, përfshirë gra dhe fëmijë, mbrëmë.

Sipas raportimeve, sulmet ndodhën në Rafah, ku u vranë të paktën 14 civilë, dhe në një shtëpi në perëndim të kampit të refugjatëve Nuseirat.

Agjencia raporton më tej se artileria izraelite vazhdoi të bombardonte zonat në lindje të kampit të refugjatëve Jabalia.